Probleme dëmtimesh te Kukësi, Milinkoviç paralajmëron titullarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 20:15

Probleme dëmtimesh te Kukësi, Milinkoviç paralajmëron titullarët

Kukësi zhvilloi një ndeshje të dobët ndaj Skënderbeut, takim të cilin verilindorët e humbën me rezultatin 1-2 në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Dështimi në shtëpi nervozoi shumë stafin dhe mbi të gjitha presidentin Safet Gjici. Por, presioni më i madh bie mbi trajnerin Mlladen Milinkoviç, i cili ka për detyrë që të arrijë objektivat, të cilat i ka vendosur kreu i klubit.

kukesi

Tashmë skuadra është nën presionin e rezultateve, pasi Gjici ka kërkuar tri fitore radhazi në kampionat. Gjithçka nis të enjten ndaj Lushnjës, një ndeshje ku trajneri serb sërish do të bëjë pa lojtarë shumë të rëndësishëm. Një prej tyre është mbrojtësi gjirokastrit, Ylli Shameti. Mungesa e tij ndaj Skënderbeut u ndje shumë, por edhe ndaj Lushnjës, 33-vjeçari mund të mos jetë i gatshëm.

Me urdhër të mjekut të ekipit, Mel Ostreni, titullari i Kukësit nuk do të luajë derisa hematoma në thembër t’i zhduket plotësisht. Nëse Shameti futet në lojë, atëherë rrezikon shumë. Nga ana tjetër, fantazisti Elis Bakaj ka munguar sërish në stërvitjen e djeshme. Bakaj po vijon fazën e riaftësimit dhe sipas stafit mjekësor do të jetë gati ndaj myzeqarëve.

Ndërsa Albi Alla është një tjetër lojtar që nuk ka formën maksimale. Gjatë ditëve të fundit, ai ka pasur gjendje gripale, shoqëruar me temperaturë. Në stërvitjen e fundit, edhe portieri Ervis Koci ka munguar për shkak të problemi familjar. Duke shtuar këtu edhe mungesat për shkak të grumbullimit me Kombëtaret të portierit Enea Koliçi dhe mesfushorit Besar Musolli, trajneri serb e ka pasur të pamundur të bëjë prova konkrete për formacionin.

SITUATA

Trajneri dhe stafi i tij ka monitoruar me rreptësi të gjithë lojtarët, duke insistuar se në ekip nuk do ketë më titullarë të padiskutueshëm. Sinjalet kanë qenë të qarta, pasi emra si Shtubina, Zeqiri dhe Rrumbullaku, nga titullarë kanë përfunduar në stol gjatë ndeshjeve të kaluara. Milinkoviç po shikon me imtësi gjendjen e gjithsecilit, duke ua bërë të qartë lojtarëve se nuk do të ketë më të paprekshëm.

Ky ka qenë edhe mesazhi i presidentit Gjici në takimin e fundit që ka pasur me serbin. Stafi nuk ka mbetur i kënaqur nga disa lojtarë dhe gjasat janë që në ndeshjen e radhës të ketë disa ndryshime në formacion. Një emër që po bind trajnerin është kosovari Idrizi. Mbrojtësi i djathtë bëri një prezantim të shkëlqyer në ndeshjen e Kupës ndaj Egnatias, duke dhënë dy asiste goli. Megjithatë, fati i keq i tij është që bën të njëjtin rol me kapitenin Hallaçi, i cili po kalon një moment të mirë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"