Privatizimi i Tiranës mbetet pezull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2014 | 10:40

Privatizimi i Tiranës mbetet pezull

Halili dhe MorinaPas një sezoni ndër më të dobëtit në gjithë historinë e vet, ku rrezikuan seriozisht rënien nga kategoria, te Tirana këtë vit kanë përveshur mëngët. Madje në harkun kohor të diçka më shumë se një muaji afruan plot 13 futbollistë, tre prej tyre lojtarë të ekipit kombëtar. Emra si Bulku, Curri, Bakaj, Bushiç, por edhe shumë të tjerë, dëshmojnë hapur që këtë vit bardheblutë synojnë vetëm titullin. Për këtë arsye në klub kanë në plan që të bëjnë një prezantim zyrtar të ekipit për sezonin 2014-2015 përpara mediave. Por, sikundër raporton edhe “Super Sport”, e gjithë kjo procedurë ka mbetur pezull prej bashkisë. Klubi po pret fillimisht që të zyrtarizohet kalimi i klubit në duart e aksionerëve. Deri më tani kanë bërë kërkesat e tyre zyrtare për të përfituar përqindje nga aksionet Refik Halili, Lutfi Nuri dhe Julian Morina. Pa u mbyllur e gjithë procedura e privatizimit dhe sponsorët të konfirmohen si drejtuesit e rinj, ende nuk mund të bëhet prezantimi para mediave. Kujtojmë që në fund të qershorit, konkretisht më datë 27, u vendos me shumicë votash që Tirana do të menaxhohet për 18 vitet e ardhshme nga aksionerë. Përtej punës së bërë nga donatorët, që do të jenë edhe aksionerët e ardhshëm të klubit, ende nuk janë zyrtarizuar afrimet e reja si dhe zgjatjet e kontratave të futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar, për shkak se nuk figurojnë si vendimmarrës zyrtarë të klubit. Kjo situatë pritet të zgjidhet javën e ardhshme, kur nga Bashkia e kryeqytetit të mbyllet kjo procedurë, e cila po zgjat për afro dy muajsh.


NDIQE LIVE "PANORAMA TV"