Privatizimi, anëtari i Këshillit Bashkiak “skanon” vlonjatët: Ja ç’ndodh me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 21:13

Privatizimi, anëtari i Këshillit Bashkiak “skanon” vlonjatët: Ja ç’ndodh me Flamurtarin

Saimir Haxhiu “skanon” Flamurtarin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Haxhiu e shikon Flamurtarin “kockë të fortë” për çdo ekip si dhe pretendet për titull. Ish-futbollisti vlonjat bën edhe krahasime mes Duros dhe Dajës, ndërsa këshillon që, veç rezultatit, ekipi të përqendrohet edhe në lojë.

saimir haxhiu

Haxhiu, si e keni parë Flamurtarin deri më tani?

Është duke u mbyllur faza e parë dhe, për të thënë të drejtën, kam parë një Flamurtar që i ka paraqitur të gjitha tablotë, momente-momente i çakorduar, por në ndeshje të caktuara një skuadër e mirorganizuar ku shihet si kundërshtar i vështirë për t’u mundur. Më shumë një skuadër cinike se spektakolare dhe kjo ka shpjegimin e vet, nisur nga fakti që është skuadër e riformatuar dhe për momentin kanë rëndësi rezultatet.

A është për titull ky ekip?

Duke i parë të gjitha skuadrat, gjykoj se asnjë prej tyre nuk bën diferencën e madhe në krahasim me të tjerat, kështu që edhe për Flamurtarin çdo gjë është e hapur për të synuar titullin kampion.

Çfarë i ka munguar më tepër skuadrës?

Ajo që i mungonte ekipit është kuruar mendoj unë. Ndërprerjet e kampionatit dy herë i kanë ardhur në ndihmë Flamurtarit për të marrë gjendje fizike lojtarë të caktuar, por edhe për të korrigjuar defekte të konstatuara gjatë përballjeve me skuadrat e Superiores.

Nga cilët lojtarë duhet të pritet më shumë?

Unë pres për të dhënë gjithë skuadra nga trajneri e deri te lojtari më i ri i ekipit. Është viti më i përshtatshëm për titull se çdo vit tjetër, kur Skënderbeu kishte krijuar supremaci. Si fillim, do të thosha se si Duro, por edhe Daja kanë gjetur ambient komod në Vlorë për të punuar, pa presionin qytetar mediatik e aq më tepër nga presidenca, por edhe pse nuk vihen nën presion për objektiva konkrete, nuk po arrijnë dot të sjellin vlonjatin në stadium ,i cili nuk mungon të jetë aty kur vijnë rezultate pozitive.

Idrizi nuk ka shpallur objektiva për këtë sezon. Mendoni se kjo ndikon për keq?

Unë e kuptoj presidentin Idrizi kur thotë se dua respekt për fanellën, sepse nuk do të ushtrojë trysni në skuadër, por në Shqipëri e kudo tjetër duhet të japësh llogari për punën që bën me rezultate konkrete.

Ku mendoni se ndryshon Daja nga Duro?

Dajën e kam pritur më spektakolar në krahasim me Duron që ishte më cinik në rezultate, por deri tani Flamurtari ka qenë më i prirë te pikët sesa te spektakli. Do të thosha gjithashtu se për Flamurtarin ka qenë luks i madh që i ka pasur në drejtim, si njerëz seriozë në radhë të parë, por edhe punëtorë.

Të hënën luhet me Tiranën. Si e shikoni këtë ndeshje?

Me Tiranën e shoh ndeshje të vështirë sepse Tirana vjen shumë e karikuar pas ndryshimit të trajnerit, por Flamurtari është skuadër më e mirë dhe fitoren e shoh si synimin e vetëm.

Mema ka marrë drejtimin e Tiranës. A do të ndikojë kjo gjë në këtë ndeshje?

Jo, nuk mendoj se do ndryshojë gjë, nisur nga fakti që është Mema të Tirana. Thjesht e thashë edhe me lartë, se kur vjen trajner i ri, ti si futbollist do të duhet të japësh diçka më shumë nga vetja.

Si këshilltar i Këshillit Bashkiak, keni dijeni në çfarë faze është privatizimi i klubit?

Në dijeninë time, procesi është në duart e ekspertëve financiarë për të përcaktuar vlerën e aksioneve që do t’i nënshtrohen procesit të shitjes.

Po nëse Flamurtari arrin Kupat e Europës, por nuk licencohet, sikundër ndodhi këtë sezon, mendoni se do të jetë skandal?

Unë dua dhe pres që Flamurtari të fitojë të drejtën për pjesëmarrje në Europë me lojë e rezultate. Nuk besoj se Idrizi nuk do vërë në lëvizje gjithë mekanizmat financiare për t’u licencuar.

Cilin ekip shikoni për titull këtë sezon?

Të them të drejtën, nuk shikoj ekip të frikshëm në këtë kampionat, por shoh të veçantë entuziazmin e Partizanit, Skënderbeun me autoritetin dhe emrin e fituar në vite, Kukësin e çorientuar dhe Flamurtarin që vazhdon të jetë “kockë e fortë” për të gjithë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"