Pritje që vlejnë si gola, Donaruma “Mbapeja i portës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 21:45

Pritje që vlejnë si gola, Donaruma “Mbapeja i portës”

Ndeshje pas ndeshjeje, pritje pas pritjeje, është gjithnjë e më shumë PSG-ja e Xhanluixhi Donarumës. Portieri italian edhe të shtunën bëri një ndërhyrje të nivelit të lartë, të ekzaltuar dje nga mediat franceze, të vlerësuar nga tifozët që e konsiderojnë gjithnjë e më shumë një nga pikat fikse të një skuadre që pritet të vendosë fatin e saj në Champions, pas një muaji kundër Realit të Madridit.

donaruma

Ndërkohë, në kampionat, klubi i emirit të Katarit konsolidoi lidershipin në renditje, +11 ndaj Nisës, duke mposhtur Brestin (2-0), falë edhe gjakftohtësisë së ish-gardianit të Milanit.

NË SHENJË – Ajo pritje fantastike pas 9 minutash lojë është një nga ato ndërhyrje të destinuara për të lënë gjurmë. Jo vetëm në rrjedhën e ndeshjes, duke qenë se në atë moment ishte ende në shifrat 0-0, por edhe në sezonin e ekipit nga kryeqyteti i Francës.

Një vit i rëndësishëm për PSG-në, por edhe për italianin që përfundoi kapitullin e Milanit në verë dhe u rikthye në qendër të skenës europiane pas transferimit në Paris. Gjithashtu, pranimi i konkurrencës të drejtpërdrejtë me Navasin, lider i dhomave së zhveshjes me një karrierë në gjendje për të frikësuar këdo. Por, jo Donarumën, i cili pasi fitoi Kampionatin Europian si lojtari më i mirë i turneut dhe titullin e “France Football” si portieri më i mirë i vitit, është fokusuar në punën e palodhur për të ruajtur vendin e tij si titullar në ekipin e ri.

VLERËSIMI – Trajneri Poçetino, i vetëdijshëm për vlerën e të dy portierëve dhe i kujdesshëm për të mos prishur ekuilibrat në dhomat e zhveshjes, ka zgjedhur alternimin, por Xhixho po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë me pritjet e tij të nivelit të lartë. Ashtu si të shtunën, në fakt, kur u ballë për ballë Kardonas që i shpëtoi Kimpembesë, priti deri në fund për t’u ulur në tokë dhe për të devijuar goditjen e ulët të destinuar për në këndore një goditje e cila duhej të përfundonte në cepin më të largët. Një pritje e festuar si gol nga 5 mijë spektatorët fatlumë në “Parc des Princes”.

Portieri është vlerësuar nga mediat kryesore franceze, të cilat e vendosin Xhixhon në të njëjtin nivel me Mbapenë, autor i golit të parë dhe po aq spektakolar të PSGsë. Nota 8 si nga “L’Equipe” ashtu edhe në “Le Parisien”. “Ishte një pritje fantastike – komentoi Donaruma në fund të ndeshjes – dhe skuadra e di se mund të ketë besim tek unë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"