Pritje heroike për Kroacinë, “digjet” Zagrebi. Daliç përlotet: Ballkanasit festojnë si kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 11:14

Pritje heroike për Kroacinë, “digjet” Zagrebi. Daliç përlotet: Ballkanasit festojnë si kampionë

Kupa e Botës nuk erdhi, por Kroacia në Botërorin e Rusisë e shkroi historinë e saj. Luka Modriç me shokë e mbyllën në vend të dytë, të mundur vetëm nga Franca në finale (4-2). Por, ata fituan jashtë fushe. Dhe nëse Kroacia nuk do të ishte 4 milionë banorë, por sa francezët (65 milionë), atëherë festa e tyre do ta kishte eklipsuar edhe atë të kampionëve të sapokurorëzuar të botës. Sepse rikthimi në vendlindje me medaljen e argjendtë ishte i denjë për një skuadër kampione bote. Qindra mijëra njerëz lanë punët e tyre për të përshëndetur rezultatin më të lartë të arritur ndonjëherë në histori nga skuadra e Zlatko Daliçit.

ec1b1435cf4c0c38088e3e34370642989534aa65

ORA 15:08 – Dy MIG-21 të ushtrisë kroate u panë në qiellin e Zagrebit, ndërsa 22 nënkampionët e botës, së bashku me trajnerin dhe stafin iu drejtuan aeroportit të kryeqytetit kroat. Mijëra njerëz ishin mbledhur në aeroport për t’i dhënë përshëndetjen e parë lojtarit më të mirë të turneut (Modriç), i cili doli i pari nga dera e avionit, ndërsa autokolona nga pista deri në qendër të kryeqytetit në sheshin “Bana Jela?i?a”, regjistroi mbi 550 mijë tifozë. Thirrjet “Ju jeni kampionët”, që shoqëruan Modriçin me shokë drejt autobusit të hapur, prekën edhe trajnerin Zlatko Daliç, i cili nuk i mbajti dot lotët, teksa përshëndeste popullin e tij. Edhe kapiteni Modriç e harroi për pak çaste zhgënjimin e pak orëve më parë dhe ndezi edhe vetë një flakadan për të festuar bashkë me tifozët, ndërsa Vrsaljko e braktisi për pak çaste autobusin për ta bërë rrugën mbi motorin e një polici. Sa më shumë autobusi i afrohej qendrës, aq më e pamundur ishte të depërtonte drejt saj, me tifozët që kërkonin të preknin heronjtë e tyre dhe shoferit, të cilit iu desh të ndalonte disa herë.

NINTCHDBPICT000420906895

KOMENTET E SHTYPIT – “Kjo është dalja më masive e njerëzve në shesh që prej vizitës së Papës në vitin 1994”, komentonte me krenari shtypi kroat. Policia kishte marrë të gjitha masat që festa të përfundonte pa incidente, por turma që pushtoi rrugët e Zagrebit kaloi çdo pritshmëri. Nuk munguan plagosjet e lehta. Ky sukses është përshkruar si eventi më i rëndësishëm në historinë e sportit kroat, duke rikthyer krenarinë kombëtare dhe unitetin në vendin që bëri një luftë për të fituar pavarësinë nga Jugosllavia në vitet 1990.

NINTCHDBPICT000420965010

MASAT – Hekurudha përgjysmoi çmimet e biletave për tifozët në mënyrë që pjesëmarrja të ishte sa më masive, ndërsa Bashkia e Zagrebit vendosi që për 24 orë transporti publik të ishte falas. Edhe televizioni shtetëror i bëri thirrje popullit për të dalë në masë në rrugë dhe përshëndetur heronjtë e tyre. Me thirrjet “kampionë… kampionë”, ndoshta ata e harruan për pak orë se ata ishin humbës në “Luzhniki”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"