Priti 2 vjet dhe i hodhi në gjyq, Idrizi e pranon: I detyrohemi Dajës, i kërkoj ndjesë publike për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2020 | 23:48

Priti 2 vjet dhe i hodhi në gjyq, Idrizi e pranon: I detyrohemi Dajës, i kërkoj ndjesë publike për…

Te Flamurtari është shtuar tashmë edhe çështja “Daja”. Administratori Sinan Idrizi ka reaguar pas lajmit ekskluziv të publikuar nga “Panorama Sport” në numrin e djeshëm për kërkesëpadinë e dorëzuar nga trajneri kryeqytetas në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, me anë të së cilës ai kërkon të shlyhet për detyrimet e prapambetura nga klubi vlonjat.

sinan-idrizi-dhe-ilir-daja-flmurtari

Është një shumë prej më shumë se 80 mijë eurosh, e prapambetur nga sezoni 2018-2019, kur Daja drejtoi Flamurtarin. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, administratori Idrizi pranoi se ka detyrime ndaj Dajës, por pa përmendur shumën. Ai e ka vlerësuar trajnerin Ilir Daja për atë çfarë ka bërë te Flamurtari dhe njëkohësisht i ka kërkuar ndjesë për moskorrektësinë në shlyerjen e detyrimeve për shkak të problemeve që tashmë dihen në klubin vlonjat. Administratori i Flamurtarit shprehet se në klubin vlonjat deri tani nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga FSHFja që të legjitimojë padinë e trajnerit kryeqytetas në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.

“Unë nuk i di shifrat, janë 80 mijë euro apo sa. Mund të jenë edhe 160 mijë euro, për këtë pjesë nuk flas dot. Po, ne i kemi detyrime trajnerit Ilir Daja dhe janë goxha të konsiderueshme. Shifrat nuk di t’i them tani. Daja ka qenë te ne për një sezon, ai ka punuar në një vit të vështirë te Flamurtari dhe e falënderoj për atë që ka dhënë.

Ka bërë mirë dhe kam shumë respekt për të, pasi është vërtet një profesionist. I kërkoj ndjesë publike për moskorrektësinë tonë dhe kaq. Në klub nuk na ka mbërritur asnjë njoftim që trajneri Ilir Daja na paska hedhur në gjyq. Megjithatë, edhe ky problem është ndër ato problematika që ne si klub kemi pasur dhe që ju i dini shumë mirë”, është shprehur Idrizi sa i takon borxhit ndaj Dajës.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Nuk mbarojnë problemet për Flamurtarin, Ilir Daja e padit në FSHF. Ja shuma që kërkon të shlyhet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"