Pritet vetëm zyrtarizimi, Elbasani zgjedh trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 23:55

Pritet vetëm zyrtarizimi, Elbasani zgjedh trajnerin e ri

Pritet që dy trajnerët e moshave të Elbasan it të gradohen në ekipin e parë të verdhebluve. Bëhet fjalë për teknikun e U19, Arjan Kila, i cili me shumë gjasa do të bëhet trajneri i skuadrës së Elbasanit. Ndihmës i tij, sipas të gjitha gjasave, do të jetë Shkëlqim Lleshanaku, aktualisht trajner i U-17. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë klubit, pohojnë se drejtuesit kanë komunikuar me trajnerët gjatë këtyre ditëve dhe palët kanë rënë pothuajse dakord për të qenë në krye të klubit elbasanas për të paktën një sezon.

elbasani

Megjithatë, duhet pritur edhe disa ditë apo qoftë edhe orë që gjithçka të marrë formë zyrtare, sepse nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë deri në zyrtarizmim e tyre. Kila ka shumë vite që drejton ekipin e 19-vjeçarëve të klubit dhe më shumë se 90 për qind e lojtarëve të Elbasanit kanë kaluar nga moshat dhe e njeh mirë skuadrën dhe ambientin. Kjo ka qenë një pikë e fortë për “gradimin” e tij për më lart.

27867345_10204206480278362_923149927854451008_n

Ndërkohë, Lleshanaku ka qenë vite më parë edhe trajner i Gramshit, ndërkohë që prej shumë vitesh ka punuar me moshat. Kështu, elbasanasit pritet t’ia besojnë “timonin” trajnerëve të shtëpisë, të cilët këtë sezon do të synojnë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Gjatë kësaj periudhe u lakuan shumë emra, që nga Dede dhe deri te File, por të paktën për momentin janë Kila me Lleshanakun në krye të listës.

EFEKTI ZINXHIR

Nëse do të zyrtarizohen Kila dhe Lleshanaku në krye të pankinës elbasanase, lirohen kështu dy pozicione te moshat, përkatësisht trajnerët tek U-17 dhe U-19. Në këtë mënyrë, do të ketë lëvizje të detyrueshme nga ana e klubit edhe në këto ekipe. Ishte vet Laze, që një ditë më parë pohoi për gazetën se do të ketë ndryshime edhe te moshat dhe kjo gjë duket sikur do të marrë formë fill pas zyrtarizimit të trajnerëve të ekipit të parë.

Kështu, trajnerëve të sezonit të kaluar, Eriol Merxhës dhe Endri Dalipit, pritet t’u jepet nën drejtim një nga ekipet e moshave, për të vijuar punën në evidentimin e lojtarëve të rinj. Përpos tyre, lëvizje pritet të ketë edhe te grupmoshat më të vogla në klubin e Elbasanit.

VLADIMIR MEMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"