Pritet titullar për të prishur mallkimin sot në “Emirates”, Armando Broja frikëson Arsenalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2021 | 14:34

Pritet titullar për të prishur mallkimin sot në “Emirates”, Armando Broja frikëson Arsenalin

Armando Broja pritet të ruajë vendin e titullarit në skuadrën e Sauthemptonit për transfertën e sotme kundër Arsenalit pas një tjetër prove bindëse që bëri javën e shkuar kundër Brajtonit.

Brojaaa

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili ka shënuar në tri prej katër ndeshjeve që ka nisur si titulluar me “Shenjtorët” në Premier Ligë, pritet që të udhëheqë sërish vijën e parë të sulmit të Ralf Hazenhytelit në “Emirates”, bashkë me Adamsin.

Sauthemptoni renditet në vend të 16- të, +6 nga zona e rënies dhe problemi i madh i tyre këtë sezon është se skuadra nuk arrin dot të ruajë avantazhin.

Ata kanë humbur 71 pikë pasi kanë qenë në pozicione fituese që kur është ulur në stol tekniku austriak në dhjetor të vitit 2018, 15 pikë më tepër se çdo skuadër tjetër e Premier Ligës.

Të tria fitoret që kanë arritur këtë sezon në Premier Ligë, i kanë regjistruar me rezultatin e ngushtë 1-0. Për t’u nënvizuar është se ata nuk arrijnë të shënojnë gol në pjesën e dytë në 6 ndeshjet e fundit. “Shenjtorët” kanë humbur gjithashtu 14 ndeshje në transfertë në vitin 2021, numrin e tyre më të lartë në një vit kalendarik për 17 vite.

DUELET DIREKTE – Por fitorja e parë e Hazenhytelit në stolin e Sauthemptonit ishte pikërisht kundër Arsenalit në dhjetor 2018 (3-2). “Topçinjtë” kanë 26 ndeshje të Premier Ligës në shtëpi që nuk humbasin kundër Sauthemptonit.

Rekordi i tyre më i thellë pa humbje kundër një skuadre të vetme të kampionatit është 27 ndeshje, kundër Fulhamit deri në 1949-ën dhe kundër Sitit që përfundoi në 2012-ën.

Seria e 22 ndeshjeve të Sauthemptonit pa fitore në Premier Ligë kundër Arsenalit në transfertë është më e gjata për çdo klub në historinë e Premier Ligës. Ata kanë fituar vetëm 2 nga 44 transfertat në Premier Ligë kundër “Topçinjve”: suksesi i fundit ka ardhur në vitin 1987 në “Highbury”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"