Pritet revolucion në staf dhe ekip nëse s’arrihet objektivi/ Europa si shpëtim, Kukësi bën tifo edhe për… Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 14:30

Pritet revolucion në staf dhe ekip nëse s’arrihet objektivi/ Europa si shpëtim, Kukësi bën tifo edhe për… Laçin

E ardhmja e Kukësit varet nga Europa. Nëse në fund të edicionit skuadra arrin që të jetë pjesë e Konferencë Ligës, pritet që të mos ketë ndryshime radikale, si në staf edhe në organikë.

Kukesi

Në të kundërt, mospjesëmarrja në këtë kompeticion do të bëjë që Kukësi të riorganizohet. Presidenti Safet Gjici e ka një kusht të panegociueshëm pjesëmarrjen në Europë këtë sezon, duke qenë se sezonin e kaluar ekipi nuk arriti të kualifikohej, ndaj në dy ndeshjet e mbetura verilindorët duhet të bëjnë gjithçka për ta arritur këtë synim, edhe pse tanimë jo çdo gjë është në dorën e tyre.

Me pak fjalë, në dy ndeshjet e fundit nuk luhet vetëm e ardhmja e Kukësit, por edhe e vetë trajnerit dhe lojtarëve, të cilët aktualisht po ndiejnë presionin e rezultateve.

Nëse minimalisht verilindorët ia dalin të mbajnë vendin e katërt, atëherë në finalen e Kupës së Shqipërisë duhet të bëjnë tifo për Laçin.

Vetëm kështu përfiton vendi i katërt nga kampionati.

NDRYSHIMET – I pari që pritet ta pësojë në rast të mosarritjes së objektivave do të jetë trajneri Diego Longo, i cili në javët e fundit, për shkak të rezultateve të arritura dhe deklaratave publike, ka bërë që të humbasë pikë në sytë e Gjicit.

Por gjithsesi, presidenti i nderit nuk ka ndërmarrë hapa ekstremë, por i ka besuar drejtimin deri në mbyllje të këtij edicioni. Sakaq, rrezikojnë edhe një pjesë e mirë e lojtarëve, të cilët nuk kanë qenë brenda pritshmërive të klubit dhe atyre që janë me kontrata njëvjeçare nuk do t’u ofrohet një tjetër rinovim.

Në skuadër ka edhe futbollistë që kanë kontrata 2-vjeçare, por për mosrealizim të objektivave palët do të ulen në diskutime për të negociuar përfundimin e tyre.

Gjithsesi, këto bisedime do të kryhen vetëm pas mbylljes së kampionatit. Në dy ndeshjet e mbetura, verilindorët kanë një kalendar të favorshëm, pasi do të luajnë me kundërshtarë që nuk kanë më asnjë objektiv.

Fillimisht këtë javë do të presin në shtëpi Skënderbeun e rënë nga kategoria. Në fund, do të kenë transfertën me Tiranën, e cila nga ana tjetër ka siguruar edhe titullin kampion.

Synimi është që të merren gjashtë pikë dhe të sigurojnë të paktën vendin e katërt, edhe pse në lojë vijon të mbetet ende edhe vendi i tretë që mbahet aktualisht nga Partizani.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"