Pritet revolucion në klub, Apolonia projekton rikthimin në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 15:54

Pritet revolucion në klub, Apolonia projekton rikthimin në Superiore

Apolonia është një prej klubeve që ka bërë histori në futbollin shqiptar. Fierakët kanë arritur të fitojnë edhe trofe, ndërsa lojtarët që kanë kontribuar për Kombëtaren kanë qenë të shumtë. Por, prej tre sezonesh, skuadra është në krizë. Që pas rënies së ekipit nga Superiorja në fund të kampionatit 2014- 2015, skuadra nuk ka arritur të ringrihet më.

apolonia

Gjatë kësaj periudhe, Apolonia ka ndjekur strategjinë, duke afruar kryesisht futbollistë të rinj, ndërsa qëndronte gjithmonë në të Parën, duke mos iu afruar për asnjë moment vendit të parë. Në dy kampionatet e kaluara, në ekip u afruan thuajse të gjithë futbollistë të rinj, ndërsa strategjia e klubit ishte promovimi i këtyre dhe më pas shitja në klube të tjera. Megjithatë, edhe pse me lojtarë kryesisht pa eksperiencë dhe me pak harxhime, Apolonia ia doli të bënte një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vendin e 3-të. Por, duket se drejtuesit kanë vendosur që për sezonin e ardhshëm të ndërtojnë një ekip që të synojë ngjitjen.

OBJEKTIVI

Burime të sigurta pranë klubit fierak kanë bërë të ditur se presidenti Koço Kokëshima, i cili ka edhe shumicën e aksioneve të klubit, po mendon që ta rikthejë Apoloninë në Superiore. Burimet bëjnë të ditur se ka nisur puna për të afruar futbollistë cilësorë. Trajneri i ri do të jetë Marjol Miho dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Ndërsa, për sa u përket lojtarëve, janë evidentuar dhe ka nisur puna për t’i bindur që të rikthehen.

32331917_1843197022436039_5420555864958304256_n

Por, për të krijuar një ekip pretendent, financat janë kryesore për këtë. Në këtë mënyrë, mësohet se buxheti i Apolonisë për sezonin e ardhshëm do të shtohet edhe me 200 milionë lekë të vjetër më shumë. Një shumë që do i shtohet asaj që është shpenzuar gjatë kësaj kohe dhe konsiderohet e mirë për të krijuar një ekip me lojtarë cilë- sorë që të luftojnë për ngjitjen në Superiore. Kujtojmë që Apolonia ka edhe një stadium shumë të mirë, fusha stërvitore në standarde mjaft të mira dhe hotel për akomodimin e futbollistëve.

Duke parë infrastrukturën që është në gjendje perfekte, Apolonia po mendon tashmë që të bëjë një hap të rëndësishëm përpara për t’u rikthyer në Superiore. Një ditë më parë, gazeta bëri publike edhe listën e lojtarëve që do të largohen dhe atyre që do të qëndrojnë për sezonin e ardhshëm. Tifozët presin me shumë interes zhvillimet në klubin fierak.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"