Priten të bëhen ndryshime, Erzeni kërkon kthesën kundër rivalit të njohur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 18:06

Priten të bëhen ndryshime, Erzeni kërkon kthesën kundër rivalit të njohur

Sfida midis Erzenit dhe Egnatias do të luhet ditën e premte në orën 15:00 në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Një orar aspak i përshtatshëm për tifozët e të dy tifozërive, që dëshirojnë të ndjekin direkt emocionet që u dhuron ekipi i tyre i zemrës.

P.Pashollari

P.Pashollari

Ndaj Egnatias, Erzeni numëron më shumë ndeshje në krahasim me ekipet e tjera të Superiores, pasi janë ndeshur edhe më parë si në Kategorinë e Parë, ashtu dhe në Kategorinë e Dytë, por për herë të parë do të përballen dhe në Superiore.

STATISTIKAT – Në 18 ndeshje të luajtura, Erzeni ka fituar 8, Egnatia 6 dhe 4 ndeshje janë mbyllur në barazim me një golavarazh 20- 18 në favor të Erzenit. Fitorja më e thellë e Erzenit është 5-1, ndërsa e Egnatias është 4-1. Erzeni gjendet në vendin e katërt me 11 pikë, ndërsa Egnatia në vendin e gjashtë me 8 pikë.

Ndeshja e së premtes pritet të jetë e luftuar, pasi shijakasit vijnë pas një humbjeje të thellë dhe do të kërkojnë të ndryshojnë faqe përpara tifozërisë së tyre, ndërsa Egnatia vjen pas 2 barazimeve radhazi 0-0 pa shënuar gol dhe do përpiqet të gjejë rrugën e rrjetës.

MUNGESAT – Egnatia do të udhëtojë pa Emiljano Mustën, i cili nuk mund të luajë për shkak kartonësh, ndërkohë që për Erzenin do të mungojë sërish Peposhi, i cili ende nuk ka dalë në stërvitje që nga dëmtimi ndaj Laçit.

Në Shijak mbizotëron një klimë e qetë dhe pa presion, ku ekipi po vazhdon përgatitjet intensive në kuadër të ndeshjes së radhës.

Kapllani mesa duket ka lëvizur gurët, duke mos i qëndruar besnik formacionit të përhershëm, por duke bërë ndryshime herë pas here, me qëllim për t’iu përshtatur karakteristikave të kundërshtarëve.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"