Priten ndryshime me pikatore ndaj Pogradecit, kapiteni Meksi: Ju tregoj objektivat e Skënderbeut këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 12:26

Priten ndryshime me pikatore ndaj Pogradecit, kapiteni Meksi: Ju tregoj objektivat e Skënderbeut këtë sezon

Kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi, mendon se ky grup lojtarësh që ka aktualisht skuadra korçare, janë të aftë për të synuar katërshen e parë në renditje. Në një intervistë për “Panorama Sport” në prag të takimit të sotëm ndaj Pogradecit për Kupën e Shqipërisë, mbrojtësi i djathtë theksoi se ekipi do të bëjë kthesën pas asaj humbjeje në shtëpi ndaj Vllaznisë. Sipas tij, kualifikimi është detyrim ndaj liqenorëve, pasi Skënderbeu do të luftojë për t’i shkuar Kupës deri në fund.

Jorgo Meksi

Meksi pas një ndeshjeje të mirë në Durrës u zhgënjyet me Vllazninë, ekipi pati oshilacione?

Jam i mendimit që ekipi e filloi mirë ndeshjen dhe nuk mund të them se meritonim të humbnim, të paktën me ato që treguam në fillim të sfidës. Pësuam një gol shumë rastësisht, pasi ishim duke diktuar, por duke parë se jemi një ekip me djem të rinj në përbërje. Goli i pësuar na rëndoi shumë aq sa e kishim të vështirë të reagonim.

Sa do të ndikojë kjo humbje për vijimësinë?

Ne jemi një grup me lojtarë të rinj dhe normalisht ndeshje të tilla janë paksa të vështira për t’u lënë pas. Por kemi punuar fort këto ditë dhe besoj se do ia dalim që takimin e radhës të bëjmë një tjetër paraqitje e të marrim tjetër rezultat.

Ku e gjeni këtë bindje?

Po të jetosh me ekipin çdo ditë sikundër jemi ne kupton që ky është një grup i bashkuar. Jemi shumë të afruar me njëri-tjetrin dhe gati të sakrifikojmë në çdo moment. Kjo është bindja që kam se do ta kalojmë çdo vështirësi bashkë dhe fale shpirtit të sakrificës dhe dëshirën për të bërë mirë.

Nesër (Sot) luani në turin e dytë të Kupës përballë Pogradecit.  Ky kompeticion është thjesht kalimtar për ju apo keni objektiva?

Jo përkundrazi është objektiv sezonal. Ne e dimë që ndaj Pogradecit do të jetë një ndeshje e vështirë dhe duhet të djersijmë shumë. Djemtë më kanë treguar se këto përballje kanë qenë gjithmonë delikate. Është një ndeshje derbi dhe do të na duhet të bëjmë të pamundurën. Kundërshtari është i fortë dhe meriton respekt.

Pra po thoni që e kërkoni Europën përmes Kupës?

Skënderbeu gjithmonë në dekadën e fundit ka pasur ambicie të mëdha. Pavarësisht faktit se si ndodhemi apo momentit ku jemi ky ekip është mësuar të ketë ambicie të mëdha.

Nga sezoni i kaluar keni pak lojtarë pjesa tjetër të rinj. E ka formuar grupin Skënderbeu?

Është shumë e vështirë të ndryshosh kaq shumë nga një sezon në tjetrin dhe koha që ka nevojë ekipi në dispozicion për të ndërtuar filozofinë e vet është e madhe. Ne kishim fatin me vete, pasi bojkoti i kampionatit na dha shumë kohë në dispozicion për t’u lidhur si grup. Por ende kemi nevojë për minuta loje që të jemi mirë.

Skenderbeu

Si e shikoni kampionatin e këtij sezoni?

Këtë vit paraqitet një kampionat shumë i vështirë. Është një moment kur ekipet nuk i njohim mirë, por në letër janë forcuar. Veçanërisht Teuta dhe Laçi. Them se do të jetë i rivalizuar nga fillimi në fund ky sezon dhe ne do të provojmë mundësitë tona që të shkojmë sa më lart të jetë e mundur.

A mund të themi se ky sezon nuk ka favoritë nisur nga dy javët e para?

Jo jam i mendimit që nuk mund të flasim që në këtë moment për favoritë, pasi dy javë kampionat janë luajtur dhe ekipet nuk kanë treguar potencialin e tyre të vërtetë. Janë edhe 34 javë në lojë dhe me kalimin e javëve do të shihet se çfarë gjendjeje dhe force kanë secili ekip.

Si kapiten a mund të na i zbuloni objektivat e Skënderbeut?

Objektivi ynë këtë sezon është të jemi sa më në tabelën e klasifikimit. Do të mundohemi që të jemi në vendin e katërt dhe sipër, pasi nuk i takojnë këtij ekipi vendet më të ulëta.

Meksi, për ju ky është sezoni i fundit në Korçë?

Nuk e di për diçka të tillë. Nuk mund të flas, pasi është herët për merkato. Më pas është presidenti ai që flet për këtë çështje. Unë jam gati që nëse gjërat shkojnë mirë të qëndroj shumë gjatë këtu.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"