Priten 4 mijë tifozë në stadium, Kaloshi “kërcënon” kryesuesit e Bylisit: Fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2022 | 22:22

Priten 4 mijë tifozë në stadium, Kaloshi “kërcënon” kryesuesit e Bylisit: Fitojmë ne

Lushnja kërkon ta mundë Bylisin me tifozë. Këtë të shtunë presin kryesuesit në “Roza Haxhiu” dhe, sipas informacioneve të klubit, në stadium priten rreth 4000 shikues. Verdhejeshilët e dinë që nuk do ta kenë të thjeshtë, por nuk tremben.

Mikel Kaloshi 2

Këtë e thotë edhe Mikel Kaloshi, që kundërshtarin e njeh mirë. Ai ka luajtur në Ballsh dhe është i përgatitur për “malore”, e megjithatë është optimist. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, thotë:

“Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme me Bylisin. Është ekipi që e ka kryesuar këtë kampionat që nga fillimi. E megjithatë, Lushnja ka ndryshuar gjatë fazës së dytë. Kemi humbur vetëm një ndeshje në 6 ndeshje, plus që kemi marrë edhe dy pikë jashtë fushe. Të shtunën do të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët. Do të jetë e vështirë dhe e bukur. Unë e njoh mjaft mirë mentalitetin e ballshiotëve, sepse kam luajtur me Bylisin.

Unë ftoj tifozërinë lushnjare, të gjitha grupimet, të na mbështesin dhe ta ndezin stadiumin, ashtu siç di të bëjë publiku ynë i zjarrtë. Të jenë sa më të shumtë për të përkrahur Lushnjën tonë të zemrës. Unë kam luajtur me Bylisin dhe kemi realizuar kalimin në Superiore, në fund të sezonit 2014-2015.

Ka qenë një moment shumë i veçantë pritja e penalltisë së Mikel Cankës. Një ndeshje kundër Lushnjës dhe e fundit e kampionatit, të presësh penallti dhe të jesh heroi i takimit duke ndihmuar ekipin të shkojë në Superiore. Të shtunën do të doja të isha përsëri heroi i takimit. Me pritjet e mia dua t’i jap ekipit tim të zemrës tri pikët, të cilat na duhen shumë”, tha gardiani i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"