“Prisnim një goleadë”, mbrojtësi i Besës: : Maliqi vendosi… “autobusin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 16:14

“Prisnim një goleadë”, mbrojtësi i Besës: : Maliqi vendosi… “autobusin”

Besa priste goleadën përballë Maliqit, por nuk ndodhi kështu. Përtej pretendimeve për dy penallti, kavajasit ishin larg pritshmërive. Vuajtën pa fund, por zgjidhjen e dha një mbrojtës: Skedian Perja.

bubeqi besa

 

Heroi i këtij 90-minutëshi e quan fitore të sikletshme, por saktëson se e patën të vështirë përballë “autobusit” të juglindorëve. “E dimë se të gjithë prisnin një goleadë, nisur nga përbërjet e dy ekipeve. Kështu u duk, që kur në start pengohet Canka dhe për habi gjyqtari bëri me shenjë të vazhdohej loja.

Askush nuk e diskutonte epërsinë tonë, madje dhe vetë Maliqi që u rreshtua që në minutat e para me 8 lojtarë prapa, një autobus i vërtetë.

Ne vijuam të dominojmë lojën, pasi sulmi mik nuk ekzistonte dhe thjesht topat ishin po në zonën e Maliqit. Po as mund të mohoj luftën e fortë të mbrojtësve miq dhe fatin e një portieri me përvojë si Lamellari.

Gjithçka po merrte rrjedhë tjetër dhe vërtet na zuri paniku përse nuk po shënonim.

E quaj veten me fat që u ndodha në vendin e duhur në kohën e duhur për të goditur shpejt mes disa mbrojtësve. Në fakt, ishte goditja e tretë rresht nga këndi, dy të parat nuk na dhanë rezultat.

Pas golit tim, miqtë vijuan të mbroheshin për të mos pësuar gola të tjerë me dëshirën ndoshta për ndonjë rastësi apo fat, por që nuk ndodhi. Ishte një fitore e vuajtur ashtu si erdhën punët dhe nuk është se jam shumë i kënaqur nga mënyra se si e zgjidhëm ndeshjen.

Duhet e mund ta kishim mbyllur takimin që në pjesën e parë përballë një Maliqi që as në ëndërr s’e kishte parë të na sulmonte”, tha 30-vjeçari për gazetën.

Ajo që ra në sy në këtë takim, është që ekipi nuk është më i qetë dhe i qartë në zonën kundërshtare. Kështu ndodhi edhe ndaj Maliqit, kur Hoxha, Canka, Hoxhaj u nxituan atëherë kur nuk duhej.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"