“Prisni Laç ndryshe në Shkodër”, Duro: Futbolli është i paparashikueshëm, ndeshja e kampionatit s’ka lidhje me të sotmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 11:25

“Prisni Laç ndryshe në Shkodër”, Duro: Futbolli është i paparashikueshëm, ndeshja e kampionatit s’ka lidhje me të sotmen

Trajneri Shpëtim Duro e konsideron të pranueshme luhatjen e fundit të Laçit, pasi situata të tilla i ndodhin çdo ekipi. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Duro shprehu besim se ekipi i tij do të kthehet shpejt, madje duke filluar nga gjysmëfinalja e Kupës në Shkodër. Duro pohoi se dueli i sotëm me shkodranët do të jetë ndryshe nga ai i fundjavës së shkuar në kampionat, ku barazuan 0-0. Trajneri i Laçit nuk merr guximin të parashikojë se çfarë do të ndodhë në këtë ndeshje teke të Kupës, por beson se skuadra e tij do t’i realizojë objektivat, ku më herët është thënë se Laçi i synon të dy trofetë. Në fund Duro pohoi se me trajnerin Brdariç ka marrëdhënie shumë të mira.

Shpetim Duro logo

Rezultatet e fundit e kanë lëkundur besimin në ekip për vazhdimësinë?

Sigurisht që çdo skuadër i ka të pranishme luhatjet gjatë një sezoni, kështu që edhe ne i kemi pasur. Ndeshjet e fundit nuk kanë qenë aty ku ne dëshironim. Kemi pasur edhe probleme në lojë, përveç rezultateve, por ka qenë ndryshe në ndeshjen e fundit me Vllazninë ku skuadra bëri paraqitje të mirë. Por, kjo nuk na e lëkund besimin, ku sot luftojmë për një objektiv, si dhe në kampionat jemi në vazhdim. Kështu që, punën e kemi para dhe çdo që është në dorën tonë.

Si vjen Laçi në këtë takim? A keni ndonjë shqetësim dhe a rikthehet ndonjë prej lojtarëve të dëmtuar?

Është po ajo situatë që patëm në ndeshjen e fundit të kampionatit, kështu që edhe kësaj radhe me Vllazninë nuk kemi asnjë rikthim.

Në dy ndeshjet e fundit nuk keni shënuar. Sulmuesit mos ndoshta po kalojnë një ngërç?

Patjetër që nuk kemi shënuar në dy ndeshjet e fundit. E kam thënë se me Teutën nuk kishim mundësi me përjashtim të një rasti të Mazrekajt, kurse me Vllazninë çaluam pasi kemi pasur 4-5 raste për shënim. Tri mundësi i patëm në pjesën e parë dhe dy në të dytën, ku duhet të kishim shënuar, por nuk arritëm të finalizonim.

DURO1 (1)

Luhet vetëm me një takim. Besoni se mund ta zgjidhni në Shkodër brenda 90 minutave apo jeni përgatitur për shtesë dhe… penalltitë?

Se çfarë do të ndodhë në këtë takim nuk mund ta parashikoj, mund të shkojë 90 minuta, me shtesë apo me penallti. Them kështu, pasi futbolli është i paparashikueshëm, kjo varet nga interpretimi që skuadrat do t’i bëjnë lojës. Dihet që është një ndeshje me specifikë të veçantë, jo si ajo e kampionatit. Kjo do përqendrim, kujdes, interpretim tjetër për arsye se është me sistem eliminimi direkt me vetëm një ndeshje. Unë mendoj se ndeshja e fundit e kampionatit nuk do t’i ngjajë sfidës së sotme me Vllazninë.

Do të ishit në rregull nëse fitoni Kupën këtë sezon apo keni si objektiv primar kampionatin?

E kam thënë që në fillim se nuk kam ardhur në pozita të barabarta me rivalët e tjerë. E kam marrë drejtimin e Laçit në ndeshjen e fundit fazës së parë, ku skuadra kishte 7 pikë dhe me shumë diferencë nga pretendentët. Por, kemi bërë një punë që shpresoj ta kurorëzojmë pozitivisht deri në fund të kampionatit.

Si i keni marrëdhëniet me trajnerin e Vllaznisë?

Marrëdhëniet me trajnerin e Vllazninë i kam shumë të mira, normale. Përpos faktit që me Brdariç kemi edhe një të kaluar të përbashkët, pasi kemi drejtuar Shkëndijën e Tetovës në periudha të ndryshme.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"