Prisja më shumë nga Fino, Duka kishte shumë vota kundër. Ja ç’pres nga ky mandat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2018 | 23:10

Prisja më shumë nga Fino, Duka kishte shumë vota kundër. Ja ç’pres nga ky mandat

JETMIR HALILAJ

Jetmir Halilaj, kryeredaktori i Panorama Sport, ishte i ftuar në Opinion në Neës 24, për të shprehur mendimin e tij për zgjedhjet që u mbajtën sot në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF, si edhe për të hedhur dritë mbi mënyrën e votimit, apo për atë që pritet të ndodhë pas rizgjedhjes së Dukës për herën e 5-të në krye të FSHF.

jetmir halilaj

Prisja më shumë nga Fino, por Duka kishte shanse të mira të rizgjidhej. Procesi shkoi normalisht. Tensioni që kishte përfshirë fushatën, nuk u fut në Asamble. Fino nuk e ka pranuar procesin. Do të shkojë në rrugë ligjore. Zv.presidenti Surkis dha sinjale të qarta, duke i cilësuar zgjedhjet demokratike dhe të rregullta. Gjasat janë që UEFA ta njohë si rezultat.

Më parë kërkohej që Duka të largohej, nga ana e Berishës, dhe në Tiranë erdhi Platini, për të ndaluar ndërhyrjen politike. Pse është kaq afër UEFA?

FSHF është pjesë e UEFA, dhe ata janë të interesuar që faktorët politikë të ndihmojë futbollin, por të mos lejojnë qeverinë që ta komandojë futbollin. Kandidimi i zotit Fino mori ngjyrime politike. E viktimizoi më shumë se sa duhet Dukën. Kjo gjë e ndihmoi Dukën, që ta shndërronte këtë atmosferë si një trysni apo presion me motive politike. Gjithsesi, sot edhe Duka mori vota politike, por ai e shfrytëzoi këtë pjesë duke u paraqitur tek UEFA, duke qenë se Fino vinte me mandatin e deputetit. Kjo u shndërrua në “boomerang” për zotin Fino.

Zgjedhje ndryshe nga të kaluarat…

Një nga elementët pozitivë të këtyre zgjedhjeve ishte se pati garë, pavarësisht se u vesh me ngjyrime politike. Duka ndjeu për herë të parë se mund ta humbiste postin. Për një pjesë të kritikave të zotit Fino kam qenë dakord, për besueshmërinë apo stadiumin bosh, por zoti Fino nuk arriti të shpaloste platformën e tij tek anëtarët e tjerë të FSHF, përveç kryebashkiakëve të PS. Më së shumti, kjo ndodhi pasi mungoi një alternativë e besueshme, për delegatët e tjerë që nuk vinin nga Fino, i cili nuk arriti të bindte “zonën gri” të anëtarëve, ata të cilët janë biznesmenë dhe e kanë klubin të tyre. Shumica e votave erdhi vetëm nga bashkiakët e PS.

Shumë vota të pavlefshme… Më pas ndryshim votash nga raundi i parë tek i dyti…

Në raundin e parë një pjesë e delegatëve u kujdesën dhe bënë gabimin që t’i nxirrnin disa vota të pavlefshme, dhe të jepnin një sinjal se për kë kishin votuar. Edhe për mungesë eksperiencë, dhanë sinjalet se ku po votonin. Ishte naivitet i madh i atyre personave që e shfaqën besnikërinë deri në atë pikë. Pati edhe një apel të brendshëm nga drejtuesit e Asamblesë, por edhe nga stafet përkatëse, që të mos çonin më vota dëm, pasi mjaftonin 50+1. Në këtë rast sfiduesi ishte zoti Fino, dhe duhet t’i merrte vota Dukës. Kishte pozita të konsoliduara brenda federatës, plus edhe me lidhjet në UEFA. Nuk e bëri dot këtë gjë, pasi për mendimin tim i mungoi një platformë e mirë për t’iu shpjeguar delegatëve që votonin, pra nuk i bindi dot. Harxhoi shumë energji kundrejt rivalit. Kjo gjë bëhet kur ka votim politik, por jo kur votojnë vetëm 66 anëtarë.

Asambleja e 7-të. Kishte prurje të reja?

Në asamblenë e fundit nuk ka pasur kandidatë të tjerë, për fat të mirë këtë herë pati garë. Emra të rinj kishte për Komitetin Ekzekutiv. Në këtë rast, sfiduesi duhet të kishte një platformë më të mirë. Sot nëse klubet do të konsideroheshin biznes, njerëzit do të kishin ndoshta më shumë besim te Fino, si një kandidaturë ndryshe nga Duka.

Pse ndodh që i kemi lënë ende klubet në dorë të Bashkive? Pse kjo përzierje e futbollit me politikën?

Sot kemi klube që funksionojnë si ndërmarrje bashkish. Klubet e futbollit konsiderohen si mundësi punësimi për militantë. Edhe sot, ata nuk gjenerojnë të ardhura pasi menaxhohen keq, nga njerëz jo të kualifikuar. Politika i ka kthyer sytë tek futbolli, pasi gjeneron shuma të mëdha parash. Ka një vëmendje të madhe sot ndaj futbollit, është çështje imazhi. Është edhe publicitet i jashtëzakonshëm. Ka shumë elementë pse politika është e ngjitur me futbollin.

E dëmton kjo apo e ndihmon futbollin?

Kjo është relative, e ndihmon kur ka një ndërthurje. Kur federata bashkëpunon me projekte konkrete, që i japin një ndihmë sportit, kjo është pozitive. Kur pastaj, në Shqipëri futbolli vetëm përdoret dhe nuk e ndihmon, kjo e dëmton. Kur 80% e klubeve kanë probleme të mëdha financiare, gati të falimentuara, sigurisht që kjo e pengon.

Çfarë pritet të ndryshojë pas zgjedhjes së Dukës?

Unë nuk besoj se do ndryshojnë shumë gjëra, dhe të gjitha premtimet që ka dhënë zoti Duka, do të realizohen. Shpresoj që Duka të ketë kuptuar se ato 24 vota kundër nuk janë pak, dhe gjërat që janë bërë jo mirë të rregullohen. Shpresoj që të ndryshojë diçka edhe për sa i përket besueshmërisë në futboll. Ta marrë seriozisht luftën ndaj caktimit të ndeshjeve, dhe të ketë vëmendje ndaj kategorive inferiore në futboll, pasi aty ka shumë probleme.

UEFA shqetësohet edhe për këto probleme të tjera, përveç politikës në futboll?

Natyrisht, por kjo është pak specifike. UEFA nuk ka bërë kompromis me trukimin, kur erdhi puna tek dënimi i Skënderbeut. Ishte një sinjal i fortë për zotin Duka, pasi erdhi edhe pas kualifikimit në Europian. Në rastet kur federata është në konflikt me qeverinë, në pjesën dërrmuese të rasteve UEFA ka mbajtur anën e federatës. Por, në rastet kur klube të caktuara, jo vetëm në Shqipëri, ka ndodhur kur ekipe në Greqi apo Maqedoni janë rrëzuar nga kategoria apo janë dënuar për 10 vite, UEFA nuk bën kompromis. Se si do të shkojë kjo pjesë, pasi Fino deklaroi se do ta çojë në CAS, atëherë gjërat ndryshojnë, pasi nuk e dimë si do të shkojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"