“Prisja më shumë nga Egnatia”, presidenti Demrozi konfirmon 80% të grupit: Për merkaton do të vendosë trajneri i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2022 | 22:50

“Prisja më shumë nga Egnatia”, presidenti Demrozi konfirmon 80% të grupit: Për merkaton do të vendosë trajneri i ri

E rikthyer pas 16 vitesh në Kategorinë Superiore, shumë skeptikë nxituan ta quanin Egnatian ekipin që do të binte direkt nga elita. I vetmi që besoi deri në fund ishte presidenti i ekipit, Agim Demrozi.

Demrozi Tetova

Tashmë që gjithçka ka përfunduar dhe rrogozhinasit do të jenë pjesë e elitës edhe për sezonin e ri, duket se i kanë dhënë përvojën e duhur Demrozit për të rikonfiguruar një Egnatia shumë më cilësore dhe konkurruese. Ky transformim tashmë ka nisur me emërimin e trajnerit të ri, durrsakut Edlir Tetova, si dhe stafit drejtues të klubit me Zenelajn dhe Shtubinën.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Demrozi tregon si e përjetoi sezonin në Superiore, punën që po bëhet në merkato dhe pritshmëritë për edicionin e ri.

Sa jeni i kënaqur jeni me Egnatian e sezonit që lamë pas?

Të jem i sinqertë, me grupin që formova besoja dhe prisja që do të shpëtonim direkt dhe jo të arrinim në ndeshjen shtesë me Korabin. Ju i keni ndjekur sfidat tona me ekipet kryesuese si Tirana, Partizani, Vllaznia apo eliminimin nga Kupa që i bëmë Kukësit dhe largimin nga Laçi vetëm pas 11-metërshave.

Mundëm në takime direkte rivalët si Skënderbeu, Kastrioti dhe Dinamo. Për të gjitha këto them se jam pjesërisht i kënaqur nga kampionati që mbyllëm. Sa për ndeshjen me Korabin, larg modestisë, e quaja të fituar pa filluar takimi ashtu edhe siç ndodhi.

Jeni “gjykuar” si shumë tolerant në marrëdhëniet me stafin dhe futbollistët. Ka pasur ndonjë efekt negativ ky qëndrim?

Qoftë në jetën e përditshme apo në drejtimin e punëve të mia gjithnjë u kam dhënë besim njerëzve me të cilët kam pranuar të punoj. Këtij karakteri nuk i ika as si president i Egnatias duke kryer së pari 100% dhe në kohë çdo detyrim timin financiar dhe moral ndaj stafit dhe futbollistëve. Nuk e fsheh faktin, kur pësuam pesë humbje radhazi, u zhgënjeva disi, por preferova më shumë sesa gjobat dhe ngritjen e toneve, t’u jepja besim e kohë, gjë e cila më dha të drejtë.

Keni prezantuar trajnerin Edlir Tetova dhe drejtuesit e rinj të klubit. Në çfarë hapash jeni në lidhje me merkaton e verës?

Unë vërtet jam president, por do të jetë trajneri Tetova ai që do të përcaktojë postet e lojtarëve për të cilët Egnatia ka nevojë të përforcohet. Mbi 80% të grupit e kemi ruajtur nga sezoni i kaluar dhe do të jetë stafi teknik ai që do të analizojë dhe studiojë futbollistët që do të afrohen.

Keni ndonjë emër konkret?

Momentalisht jemi duke biseduar me dy futbollistë mbrojtës të Kategorisë Superiore, pasi stafi gjykon se prapavija jonë ka shfaqur probleme në sezonin që lamë pas. Do të ketë të tjera afrime, por nuk do të nxitohemi, pasi, siç citova më lart, kemi 80% të grupit nga sezoni i kaluar.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"