Prishi kontratën me Skënderbeun, Partizani i bën ofertë Afrim Takut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2017 | 14:18

Prishi kontratën me Skënderbeun, Partizani i bën ofertë Afrim Takut

Afrim Taku është objektivi i ri në merkaton e Partizanit. Me objektivin e vetëm për të fituar titullin kampion në sezonin e ardhshëm futbollistik, kryeqytetasit kanë vendosur në objektivat e tyre, mesfushorin që ka luajtur në Kupat e Europës me Skënderbeun. Edhe pse vetë lojtari ka bërë me dije se ka pasur një kontratë për ndeshjet e Europës me Skënderbeun, një gjë e tillë rezulton të mos jetë e vërtetë.

Taku Skenderbeu

Burime pranë futbollistit kanë konfirmuar se ai kishte firmosur për një vit me bardhekuqtë, por mesa duket diçka ka shkuar keq dhe për këtë arsye ka vendosur që të largohet, me pretendimin se do të rikthehet më Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka edhe familjen. Kështu që mes tij dhe klubit korçar është gjetur akordi që lojtari të dalë i lirë.

Taku

“Kontrata me Skënderbeun më skadoi dhe tani pres të nisem drejt SHBAsë, ku jam në bisedime me disa klube. Por, nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç unë shpresoj, do të rikthehem sërish në Shqipëri”, ishin fjalët e lojtarit një ditë më parë, në një prononcim për “Panorama Sport”, ku ka lënë të hapur edhe mundësinë e rikthimit në Superiore.

OFERTA Duket se një lëvizje e tillë e futbollistit ka shpejtuar që këtë ta shfrytëzojë Partizani. Drejtuesit e kuq kanë kontaktuar me lojtarin dhe i kanë bërë me dijë ofertën e tyre, por nuk kanë marrë një përgjigje finale, pasi mesfushori i ka lënë gjithçka të hapur.

Taku Tirana

Megjithatë, gjasat janë që pas kthimit nga SHBA, ku pritet të qëndrojë për pak kohë, Taku të bashkohet me kuqtë për sezonin e ri. Në rast se vendosë të firmosë me Partizanin, Taku do të shkojë direkt në Peruxhia të Italisë, ku edhe të kuqtë do të jenë të grumbulluar. Mesa duket, lojtari është pëlqyer nga Luçiano Moxhi dhe trajneri Iuliano, të cilët kanë dhënë miratimin për nisjen e negociatave me të.

Taku

Taku është një dëshirë e hershme e Partizanit pasi edhe në të kaluarën, futbollisti ka qenë në planet e të kuqve, por realizimi i këtij transferimi nuk është kryer asnjëherë. Por, pas largimit nga Skënderbeu, Taku duket gjithmonë e më shumë pranë të kuqve, që janë të gatshëm të plotësojnë edhe të gjitha dëshirat financiare të futbollistit, për ta pasur në përbërje sezonin e ardhshëm futbollistik.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"