“Prioriteti ynë mbetet kampionati, por Partizani na e ka hapur… oreksin”, Bruka: Gjashtë javë në ankth

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2021 | 14:20

“Prioriteti ynë mbetet kampionati, por Partizani na e ka hapur… oreksin”, Bruka: Gjashtë javë në ankth

Besëlidhjes i është hapur oreksi. Alban Bruka mendon se e keqja kaloi dhe tashmë janë më të përqendruar se kurrë për të përballuar me sukses dy ndeshjet e kësaj jave. Në mesjavë luajnë me Partizanin për llogari të Kupës së Shqipërisë, ndërsa në fundjavë presin Shkumbinin në shtëpi për kampionat. Prioritet mbetet shpëtimi i sezonit, por edhe kualifikimi i josh. Këtë e qartëson vetë trajneri gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”:

bruka

“Pas 6 javësh ankth dhe dëshpërim, më në fund Besëlidhja doli në dritë. Jemi duke hyrë në rrjedhën tonë normale. Renditemi ende në zonën e kuqe, por jemi më të qetë. Ekipi tashmë e ka marrë veten dhe është gati që të vijojë rrugën e rezultateve pozitive. Gjithçka që ka kaluar, tashmë i përket historisë dhe ne do ta kujtojmë si një ëndërr të keqe. Tani po mendojmë për javën në vijim, ku na presin dy sfida.

Të mërkurën udhëtojmë në kryeqytet ndaj Partizanit për ndeshjen e kthimit të Kupës dhe në fundjavë luajmë me Shkumbinin në shtëpi për llogari të javës së nëntë të kampionatit. Ndonëse objektivat i kemi të përqendruar në kampionat, rezultati dhe performanca e ndeshjes së parë ndaj Partizanit na e ka hapur ‘oreksin’ për të pretenduar. Po e vlerësojmë maksimalisht transfertën e Kupës.

Dikush mund të thotë: Pse duhet rrezikuar për Kupën, kur Besëlidhja noton në ujëra të turbullta…? Për një ekip futbolli, të gjitha kompeticionet zyrtare janë të rëndësishme, ndaj duhet që të luftohet. Pavarësisht se kë ke përballë apo ku renditesh, impenjimi ynë do të jetë maksimal.

Jam i bindur që përballja me Partizanin jo vetëm që nuk do të na lodhë, por do të kryejë edhe punën e ndeshjes së kontrollit për sfidën e fundjavës ndaj Shkumbinit. Fitorja ndaj Shkumbinit është detyrimi ynë, ndaj po e vlerësojmë maksimalisht duke u stërvitur me një program enkas për stilin e lojës së peqinasve.

Tashmë jam i bindur se nëpër analizat tona nuk do të diskutohet mbijetesa, por lufta për t’iu afruar sa më shumë kreut për të siguruar që herët qetësinë”, theksoi tekniku i lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"