“Primar mbetet titulli, Kupa të dërgon më shpejt në Europë”, Lorenco Vila: Teuta, gati për të fituar gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 10:44

“Primar mbetet titulli, Kupa të dërgon më shpejt në Europë”, Lorenco Vila: Teuta, gati për të fituar gjithçka

Mesfushori i Teutës, Lorenco Vila, mendon se ekipi është duke bërë mirë në këtë fillim sezoni. Pavarësisht se kanë bërë mirë ndaj dy rivalëve direkt, Partizani dhe Vllaznia, sipas Vilës nuk ka vend për eufori në ekip. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori me tipare sulmuese u shpreh besimplotë për suksesin e radhës në kampionat, ku i pret përballja me Laçin. Durrsakët e dinë që përballë kanë një kundërshtar të fortë, madje edhe Lorenco Vila thekson se kurbinasit kanë ekip të mirë, përpos pikëve që kanë grumbulluar deri tani. 22-vjeçari pohoi se kampionët në fuqi do të bëjnë gjithçka për të marrë tri pikët me Laçin, por më parë duan të “lajnë hesapet” me Korabin në ndeshjen e parë të Kupës.

LORENCO VILA 1

Një fitore ndaj Korabit në Kupë mund të konsiderohet si autokritikë për barazimin e fundit në kampionat ndaj Kastriotit?

Teuta këtë sezon është ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje. Përballja me krutanët duhej fituar, pasi dihet që rivalët tanë kanë bilance pozitive me Kastriotin. Ndeshja e Kupës me Korabin do të na shërbejë për rritjen e gjendjes psikologjike, në mënyrë që në kampionat të ketë vazhdimësi pozitive. Morali i lartë është shumë i rëndësishëm në këtë fazë “të nxehtë” të kampionatit.

Është edhe Kupa në “lupën” e Teutës?

Kupa është një arsye dhe objektiv më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu si çdo ekip, edhe ne kemi të njëjtën dëshirë, të fitojmë të dy trofetë. Do të ndeshemi me ekipe të mira dhe që i respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi nga asnjë skuadër. Do të përballemi denjësisht me këdo.

Pas Kupës luani me Laçin në kampionat, që vjen përballë Teutës pas dy fitoresh. A e bën kjo edhe më të vështirë punën për ju si ekip?

Normalisht është një ndeshje e vështirë, ku të dy ekipet dëshirojnë tri pikët. Javën stërvitore e kemi nisur me vlerësim maksimal. Laçi është skuadër që duhet marrë seriozisht, pavarësisht se ka ndryshime dhe s’ka bërë mirë në këtë fillim kampionati. Kanë lojtarë që japin maksimumin në fushë.

Çfarë prisni nga ndeshja me Laçin?

Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, kurajën dhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë. Nisur nga përgatitjet e përditshme, si dhe duke parë angazhimin që çunat kanë në stërvitje, jam besimplotë se do ta kalojmë me sukses.

Ku mund të shkojë Teuta që aktualisht ndodhet në vendin e 3-të…

Objektivi ynë është një ruajtje e titullit pasi me kontingjentin që kemi në dispozicion, duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Por, nuk duhet lënë pas as Kupa e Shqipërisë. Kupa është një mundësi e mirë për të arritur më shpejt biletën për në Europë, por ka vlerë edhe për faktin se fiton një trofe.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"