Prezantohet Vidiç: Interi, klub i madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2014 | 13:44

Prezantohet Vidiç: Interi, klub i madh

VidicBlerja e re e Interit, Nemanja Vidiç, është prezantuar zyrtarisht dje në “Apiano Xhentile”. Serbi është shfaqur tepër i lumtur, duke zbuluar edhe pse zgjodhi Interin si etapën e radhës për karrierën e tij: “Një klub i madh si Interi ka ambicien për të synuar gjithmonë trofe të rëndësishëm. Kam ardhur shumë i motivuar. Projekti më pëlqeu që në fillim dhe në Itali dua të tregoj vlerat e mia”. Më pas serbi ka folur edhe për presidentin zikaltër Erik Tohir: “Nuk kam komunikuar ende drejtpërdrejt me të, por e di që është një president që ka shumë entuziazëm, si dhe një projekt për ta çuar Interin në elitën e futbollit”. Në ditët e fundit është folur se Vidiç mund të trashëgojë shiritin e kapitenit të Havier Zanetit. Lidhur me këtë hipotezë, ishmbrojtësi i Mançester Junajtid ka thënë: “Si fillim duhet të fitoj vendin në skuadër. Dua të jap kontributin tim për të fituar me Interin dhe më pas të shohim. Fanella? Do të më pëlqente të vishja atë me numër 15. Megjithatë, nëse nuk është e mundur, do të zgjedh një numër tjetër”.
Mbrojtja me tre – Për modulin taktik Vidiç ka thënë: “Sezonin e kaluar i kam parë me vëmendje ndeshjet e Interit për ta njohur më mirë ekipin. Nuk kam luajtur kurrë në një mbrojtje me tre, por do të stërvitem që të jem gati”.
Liga e Europës – Në fund serbi pohoi: “Në të kaluarën Interi ka pasur mbrojtës të rëndësishëm si Samuel, Kordoba, Materaci dhe Zaneti. Shpresoj që të ndjek gjurmët e tyre. Për sa i përket Europës, edhe sikur të qëndroja në Mançester nuk do të luaja në Champions. Për mua nuk është një problem, do të bëjmë të pamundurën për ta fituar Ligën e Europës”.

Zikaltrit gjejnë akordin për Kazemiron
Interi vijon të punojë në merkato për të përforcuar ekipin në prag të sezonit të ri. Prej disa ditësh drejtuesit e klubit milanez janë në kontakte me Realin e Madridit, duke biseduar për mesfushorin brazilian, Kazemiro. Sipas të përditshmes prestigjioze “Marca”, në ditët e fundit mësohet se Interi dhe kampionët e Europës kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kalimin e mesfushorit në Itali. Mungon vetëm zyrtarizmi, por në ditët e ardhshme lojtari pritet t’i bashkohet ekipit të Maxarrit me formulën e huazimit me të drejtën e blerjes në fund të sezonit të ardhshëm. Kujtojmë se për Kazemiron disa javë më parë ka qenë i interesuar edhe klubi i Milanit, por duket se vullneti i lojtarit është kalimi tek Interi.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"