Prezantohet Stavri Nica: Skuadra ka “brumë” dhe dëshirë, dalim nga kriza dhe shpëtojmë Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 9:54

Prezantohet Stavri Nica: Skuadra ka “brumë” dhe dëshirë, dalim nga kriza dhe shpëtojmë Kastriotin

Ashtu siç ishte njoftuar nga “Panorama Sport” prej disa ditësh, Kastrioti ka zyrtarizuar ditën e djeshme trajnerin e ri. Stavri Nica ka marrë “timonin” e krutanëve, duke zëvendësuar të larguarin Elvis Plori. Ai u prezantua përpara skuadrës nga presidenti Alban Vogli, ku ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër me lojtarët dhe ka bërë të qarta rregullat dhe idetë e tij. Me të mbyllur fjalimin, tekniku ka nisur menjëherë nga puna, duke zhvilluar të parën seancë.

Nica55

Pas afro 60 minutash stërvitjeje, durrsaku nuk ngurroi që të japë intervistën e tij të parë si “krutan”. Për gazetën, ai zbardhi synimet që ka me Kastriotin, ndërsa nuk e fshehu që skuadra ka cilësi.

Jeni zyrtarisht trajner i Kastriotit, por si i është dukur Nicës ekipi në këto 9 javë?

E kam parë në dy ndeshje me vëmendje dhe ka “brumë”. Ekipi është mirë fizikisht, pasi janë të mirëpërgatitur. Lojtarët kanë dëshirë për të luajtur, por duhet të punojmë më fort.

Çfarë mund të ndryshoni ju te ky Kastriot?

Jam optimist se do të ndryshojmë diçka. Përvojën dhe forcat e mia do t’ia përkushtoj kësaj skuadre, që të dalim nga kriza dhe të luajmë futboll. Është një moment ku duhet ta ndihmojmë skuadrën, pasi shoh që ka dëshirë.

A besoni te kthesa dhe sa shanse ka të mbijetojë Kastrioti?

Çdo skuadër pa pikë ka vështirësitë e veta. Megjithatë, shpresojmë që me punë të bëjmë diçka. Shanset i kemi, pasi me përjashtim të trekatër skuadrave të kreut, pjesa tjetër janë pothuajse i të njëjtit niveli.

Sfida e radhës ndaj një rivali direkt, si Luftëtari…

Shpresoj që do nxjerrim një ndeshje të mirë, do luftojmë dhe do mundohemi të fusim grintën te skuadra.

Dënimi nga KDS që morët kur ishit në Burrel ka mbaruar?

Duhet të interesohemi në federatë, pasi periudha trejavore ka kaluar.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"