Prezantohet serbi Jovanoviç: Luftëtari duhet ribërë, ia dalim edhe me… punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 0:15

Prezantohet serbi Jovanoviç: Luftëtari duhet ribërë, ia dalim edhe me… punë

Marko Jovanoviç merr “frenat” e Luftëtarit. Nuk ka më dyshime, serbi është tekniku i ri i gjirokastritëve. Në orën 11:30 ka dalë përpara mediave për të shpalosur planin për ringritjen e ekipit. Kjo është e para eksperiencë që 33-vjeçari do të jetë si trajner i parë, pasi më herët ka qenë vetëm ndihmës.

JOVANOVIC

Ai është i lumtur për këtë rikthim dhe premton se do të bëjnë çmos që të marrin rezultatet e duhura dhe t’i çojnë bluzinjtë në vendin ku u takon. “Ndihem i lumtur që kthehem në Gjirokastër, ku kam kaluar shumë mirë kur isha zv.trajner i Milinkoviçit. Kam miq të mirë në këtë qytet dhe kjo më shton dëshirën për të punuar dhe të ndihmoj klubin. Siç edhe e dini, kjo është e para herë që drejtoj si trajner një ekip, por kjo nuk më heq dëshirën dhe angazhimin për të bërë mirë. Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve janë larguar, ekipi do të ndërtohet nga e para.

Me kompletimin e organikës, do të shpalosim edhe ambiciet. Kryesorja për mua si trajner është të fitoj çdo ndeshje. Unë e shoh pozitivisht situatën. Shpresojmë që deri në 10 ditët e ardhshme të kemi hedhur bazat. Në qoftë se punojmë mirë, do të arrijmë edhe rezultate të mira në vazhdimësi”, tha fillimisht serbi.

MBËSHTETJA

Marko Jovanoviç foli edhe për mbështetjen që do të ketë it e tjerë të klubit. “Unë sot (dje) kam biseduar me presidentin dhe drejtuesit e tjerë, ndaj shpresoj në një ecuri të mbarë. Futbolli është punë dhe jo gjithmonë gjendje financiare. Ne shpresojmë të bëjmë seleksionime, pasi në skuadër ka lojtarë të rinj dhe shumë të tjerë do të vijnë ndërkohë. Qëllim është ndërtimi i ekipit nga e para, mbështetur te seleksionimi i gjendjes aktuale dhe prurjeve të reja. Por për këtë duhet shumë punë. Të punojmë fort dhe të fillojmë kështu sa më shpejt”, saktësoi 33-vjeçari.

STAFI

Kur u pyet gjatë konferencës për ndihmësin e tij, Marko Jovanoviç konfirmoi se po haste vështirësi. E megjithatë, gjatë pasdites në krah të tij u pa Artan Meçani. Ishmesfushori i Sarandës, i licencuar me “UEFA Pro”, tashmë do të jetë zv.trajner i bluzinjve. “Për këtë pozicion kam biseduar me shumë persona. Një prej tyre ka qenë një ishlojtar imi nga qyteti i Gjirokastrës, por nuk ka pranuar. Në këto dy-tri ditë presim për opsione të reja”, përfundoi trajneri.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"