Prezantohet Devolli te Kamza, ish-kapiteni i Luftëtarit del në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 19:37

Prezantohet Devolli te Kamza, ish-kapiteni i Luftëtarit del në stërvitje

Bledar Devolli ka drejtuar sot në orën 18:00 stërvitjen e parë të Kamzës. Pas zyrtarizimit nga klubi, menjëherë trajneri gjirokastrit ka zbritur në fushë. Nga skuadra që mbylli sezonin kishte shumë mungesa, pasi bëhet fjalë për lojtarë që u ka përfunduar kontrata me Kamzën.

kamzaa

Nga titullarët dallonte prania e mbrojtësit të krahut, Erlis Frashëri, i cili është një vit nën kontratë me Kamzën dhe nuk do të transferohet te Skënderbeu. Gjithashtu në stërvitje ishin edhe futbollistët nën kontratë si portieri Avdyli, mesfushorët Malaj, Mehmeti e Ymeraj, si dhe sulmuesi Rezi.

kamza

Në provë kishin ardhur edhe shumë të rinj, të cilët do të vëzhgohen nga Devolli. Ndërkohë, ashtu siç paralajmëroi “Panorama Sport” që dy ditë më parë, në stërvitje me Kamzën ishte edhe ish-kapiteni i Luftëtarit, Orjad Beqiri. Ky i fundit ka arritur marrëveshjen në parim me drejtuesit dhe tashmë mbetet vetëm firma nën kontratë.

orjad beqiri kamza

Ekipit pritet që në ditët në vazhdim t’i bashkohen edhe malazezi Çukoviç, si dhe braziliani Arrabal. Ndërkohë, të larguar cilësohen Sebino Plaku, Vangjel Zguro, Taulant Kuqi, Leo Lelis, Realdo Fili, Masato Fukui, Demir Imeri, Alfred Zefi, Stevan Raçiç, Arbër Basha, Fabio Gjonikaj dhe Alken Agalliu.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"