Prezantohet Cungu: Kukësi, një dashuri e vjetër për mua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 18:32

Prezantohet Cungu: Kukësi, një dashuri e vjetër për mua…

Armando Cungu u rikthye te Kukësi pas 5 sezonesh. Tekniku shkodran drejtoi sot skuadrën në stërvitjen e zhvilluar në Pezë-Helmes si dhe në një prononcim për mediat, ai u shpreh i lumtur për rikthimin e tij te verilindorët. Cungu beson se skuadra e tij i ka kualitetet për tu kualifikuar ditën e mërkurë në sfidën ndaj Valetës, pas barazimit 0-0 në “Loro Boriç”. Në fund tekniku foli edhe disa fjalë për ish-trajnerin Pakult.

Kukesi

“Dua të falenderoj drejtuesit e klubit, posaçërisht presidentin për mundësinë e dytë që më jep. Natyrshëm që është një dashuri e vjetër. Jam po i njëjti Armando me të njëjtën dëshirë dhe pasion që i kam pasur edhe para 5 vitesh, por pak më i pjekur. Pas Kukësit unë drejtova ekipe të tjera që më kanë bërë mirë nga ana profesionale. Është një plus për mua si trajner. Për objektivat dhe mundësitë që të jep Kukësi. Për të folur për Kukësin nuk duhen shumë fjalë. Mjafton të shohësh rezultatet. Të gjithë biem dakord që është një faktor në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për një ekip sistematikisht në kupat e Europës. Ka kaluar ture, është shpallur kampion në Shqipëri dhe steka dihet që është shumë e lartë”.

Çfarë pretendoni në ndeshjen e së mërkurës ndaj Valetës?

Patjetër që pretendojmë kualifikimin. Mundësitë janë. Besim kam te djemtë edhe te klubi. Duhet të bëjmë maksimumin për ta bërë realitet këtë gjë, sepse në fund të fundit është një investim jo i vogël që i duhet futbollit shqiptar dhe Kukësit. I njoh pjesën më të madhe të ekipit, sepse i kam pas lojtarë dhe i kam stërvitur. Ndoshta nuk kam njohuri për të huajt e ardhur tani së fundmi. Nuk do kem shumë kohë për t’i njohur në ndeshjen e të mërkurës, por natyrisht kam edhe kolegë, Hallaçi dhe Nexhipi, të cilët janë një ndihmë e madhe për mua.

Kukesi

A ishte e papritur ftesa në këtë moment?

Nuk është e papritur. Unë kam pasur një bisedë tjetër në dhjetor. Por nuk u arrit akordi për shumë arsye të mijat natyrshëm. Erdhi ndoshta në momentin e duhur, megjithatë dëshira do kishte qenë që në fillim. Jemi në kohën e duhur dhe nuk kemi humbur shumë kohë.

Çfarë vlerësimi do të jepje për kolegun Pakult?

Nuk dua të flas shumë sepse nuk e kam njohur nga afër, duhet të punosh me një njeri që ta vlerësosh. Megjithatë emri i tij dhe karriera e tij patjetër që meriton vlerësime. Megjithatë jam i bindur që edhe te Kukësi është munduar të bëjë një punë të mirë. Puna jonë e tillë është. Diku ecën diku jo, nuk do të thotë se je trajner i dobët. Ndodh me çdo trajner në botë kjo gjë jo vetëm me ne. Shumë respekt për Pakultin dhe atë çfarë ka dhënë te Kukësi si dhe Kukësi i ka dhënë një mundësi atij për karrierën e tij. I uroj fat atje ku do shkoj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"