INTERVISTA/ Prezantohet Bellai: S’do jemi ashensor, ja plani me Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 21:59

INTERVISTA/ Prezantohet Bellai: S’do jemi ashensor, ja plani me Bylisin

Trajneri i ri i Bylisit, Arian Bellai, ashtu siç pritej, dje paradite ka qenë në qytetin e Ballshit dhe më pas në orën 17:00 ka drejtuar stërvitjen e parë me skuadrën. Ai është mirëpritur nga presidenti Besnik Kapllanaj si dhe stafi i tij, ndërsa së bashku kanë drekuar në një nga restorantet e njohura të qytetit.

BELLAI

Përpara se të zbriste në fushë, Bellai ka bërë një inspektim në kompleksin “Bylis”, aty ku stërvitet skuadra, por edhe në mjediset e stadiumit “Adush Muça”, ku dhe u krye seanca e parë. 51-vjeçari gjirokastrit do të ketë si ndihmës grekun Kostandinos Mihailidhis, i cili bën njëkohësisht edhe rolin e përgatitësit atletik.

Ky i fundit vjen pas eksperiencës te klubi i Superligës greke, Skoda Ksanthi. Pas një fjalimi që mbajti para skuadrës, menjëherë Bellai nisi punën në kuadër të ndeshjes së parë të kampionatit kundër Kastriotit, që do të zhvillohet të dielën në Ballsh. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” pas stërvitjes së parë, ish-mesfushori i Kombëtares zbuloi pse pranoi ofertën e Kapllanajt, si dhe synimet që ka si trajner i Bylisit.

Arian, si lindi ideja për të qenë trajner i Bylisit?

Me presidentin Kapllanaj jemi miq prej kohësh. Edhe kur unë drejtoja në Greqi, kemi folur vazhdimisht. Madje, më merrte dhe më uronte, por edhe më thoshte se një ditë do të bashkëpunojmë. Para pak kohësh, në bisedën që patëm, më tregoi se do të largohej trajneri Beqiri, duke më bërë ofertën për të marrë drejtimin e Bylisit. E pranova me kënaqësi dhe për më tepër që edhe me Beqirin jemi nga idetë njësoj. E respektoj për punën e mirë që ka bërë.

Unë dua që të vijojmë me politikat që ka klubi, duke u dhënë prioritet lojtarëve të rinj, të cilët bashkë me ata me eksperiencë do të përkthehen në rezultate në ndeshje, por edhe për arkën e klubit. Kështu funksionon futbolli modern. Ramë dakord që bashkë me ndihmësin tim, Kostandinos Mihailidhis, të vijmë në Ballsh për të nisur një aventurë të re dhe sigurisht për të lënë gjurmë këtu.

Si ishte dita e parë e stërvitjes, çfarë përshtypje ju la ekipi?

Ju thashë që grupin e njoh, sepse kam studiuar lojtarët dhe rolet e tyre, por edhe karakteristikat që kanë. Në ditën e parë pashë një grup të përgatitur mirë fizikisht, të motivuar dhe me dëshirë që të punojnë dhe bëjnë sa më mirë. Kjo mua më pëlqeu, sepse u përshtaten edhe synimeve që kemi. Kam besim se do të bëjmë mirë të gjithë së bashku.

U bënë disa vite që jeni shkëputur nga Shqipëria, duke drejtuar ekipe në Greqi. Me çfarë synimesh do të futeni në këtë kampionat?

Unë duket sikur jam me trup në Greqi, por në Shqipëri vij shumë shpesh, sepse kam miq dhe të afërm. Kam mbajtur kontakte dhe natyrisht që ndjek rregullisht futbollin shqiptar. Bylisin, edhe për sa thashë më sipër, e njoh shumë mirë dhe kam informacionin e duhur si trajner për të dhënë edhe unë idetë e mia në vijimin e punës.

Çfarë garancie ju ka dhënë Kapllanaj, do të ketë të tjera afrime?

Po, më ka dhënë garanci. Presidenti është në kontakte, kemi folur këto ditë dhe presim lojtarë ndoshta që këtë javë, por edhe deri në fund të afatit, për të pasur një Bylis solid. Ne duam që të ndërtojmë një skuadër që të bëjë progres, një ekip ambicioz që të bëjë lojë të mirë dhe të marrë rezultate.

Të vazhdojë të jetë ai Bylisi solid në Superiore, jo si ashensor, sepse Ballshi është nga ato klube që po krijon traditën e vetë në elitë. Por, duhet punë e përbashkët. Çdo ditë ne duhet që të ulim kokën në stërvitje, të korrigjohemi deri në detaje dhe të jemi “top” në ndeshjet zyrtare. Shoh që kam një grup që ka oreks për punë dhe sukses, me djem profesionistë dhe me karakter.

Në cilat pozicione mendoni se ekipi ka më shumë nevojë për përforcime?

Sa më shumë cilësi të ketë një ekip, shtohet konkurrenca dhe natyrisht që kjo përkthehet në një punë të mirë dhe rezultate. Unë besoj, nisur edhe nga ajo që kam folur me presidentin, se do të jemi dinjitozë në kampionatin e gjatë që na pret. E kam ndjekur Bylisin me Partizanin, por edhe me Tiranën. Këtu ka “brumë” të mirë dhe ky grup premton.

Ndeshjen e parë e keni të dielën ndaj Kastriotit në Ballsh. Besoni te një start me fitore?

Shpresoj që ta fillojmë mbarë garën. Është shpejt për të vënë objektiva, ndoshta pak më vonë do të jemi më konkretë në synime. Do të jemi me këmbë në tokë, gradualisht të punojmë. Sepse me punë edhe rezultati do të vijë…

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"