Prezantimi te Kamza, Ahmataj: Jam luftëtar, i trembem vetëm Zotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 12:36

Prezantimi te Kamza, Ahmataj: Jam luftëtar, i trembem vetëm Zotit

Julian Ahmataj u zgjodh trajneri i ri i Kamzës. Pas negociatave me disa emra të njohur të trajningut shqiptar, drejtuesit e klubit kamzali më në fund kanë arritur marrëveshjen me elbasanasin, që deri dy ditë më parë ishte nën drejtimin e Burrelit. Ahmataj nuk është menduar dy herë, teksa ka braktisur matjanët e Kategorisë së Parë dhe ka marrë përsipër një mision të vështirë te Kamza në Superiore.

Ahmataj

Objektivi është i njëjtë: mbijetesa në kategori. “Po ju prezantoj me trajnerin e ri, Julian Ahmataj. Kemi besim se gjithçka do të shkojë më së miri. Shpresoj shumë të na ecë mbarë dhe ju të jeni sa më të angazhuar për arritjen e objektivit”, ka thënë dje presidenti Naim Qarri para skuadrës, gjatë prezantimit të trajnerit të ri në fushën e kompleksit të Kamzës. Nga ana tjetër, elbasanasi që ka eksperiencë nën drejtimin e Teutës, Bylisit, Besës, Korabit dhe së fundmi Burrelit.

“Të jemi të bashkuar për arritjen e objektivit të klubit. Kërkoj disiplinë nga të gjithë ju”, bëri të ditur para lojtarëve trajneri i ri. Për “Panorama Sport”, Ahmataj sqaroi edhe marrëveshjen që kishte me Burrelin. “Largimi im ka qenë pjesë e marrëveshjes me drejtuesit e Burrelit.

Ahmataj

Pra, nëse do të kisha një ofertë nga Kategoria Superiore, do të lihesha i lirë. Trajneri i ri që do të marrë përsipër drejtimin e Burrelit në katër ndeshjet e mbetura, do të ketë ndihmën time”. Ndërsa administratori i Burrelit, Demir Çupi, është shprehur: “Trajneri Ahmataj është larguar me marrëveshje. Nuk mund ta ndalonim të ikte në një ekip të Superiores”. Tashmë, Ahmataj do debutojë në pankinë pikërisht ndaj Skënderbeut të shtunën.

DEKLARATA

Në një prononcim për “SuperSport”, gjatë stërvitjes së djeshme që ishte edhe e para, Ahmataj është shprehur: Kam pasur një rrugëtim të gjatë me shumicën e klubeve shqiptare dhe mund të them se ka qenë mjaft e lodhshme, por ajo epokë tani ka përfunduar. Të jesh trajner është një tjetër gjë, ka më shumë përgjegjësi. Personalisht jam munduar të mos qëndroj pushim, por kam marrë çantën në krah dhe jam stërvitur në nivele edhe më të ulëta se Superiorja.

Ahmataj

I garantoj se do të bëj më të mirën time ashtu siç kam bërë edhe në kategoritë e mëposhtme. Kamza po kalon momente krize që janë normale për çdo ekip. Personalisht jam luftëtar dhe nuk kam frikë për asgjë tjetër në jetë veç Zotit. Duhet që të gjithë te Kamza të bëjmë më të mirën dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Ahmataj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"