Pretendimet e bashkisë për Besëlidhjen, reagon Gjok Noka: Jam president, jo shef administrate. Nuk çoroditem!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 11:12

Pretendimet e bashkisë për Besëlidhjen, reagon Gjok Noka: Jam president, jo shef administrate. Nuk çoroditem!

Ndodh rëndom në vendin tonë që politika përzihet me artin, kulturën dhe sportin. Sa herë ndërrohen titullarët e saj në administratën publike, pasuesit futen tek administrata paraardhëse e deri te specialistët. 

gjok noka

Këtij sindromi nuk i shpëton as Besëlidhja. Kohët e fundit, auditi i brendshëm i bashkisë ka hapur dosjet financiare të klubit dhe sipas raportit zyrtar, ka konstatuar shkelje nga ana e administratës. Në këtë raport thuhet se është përfshirë edhe presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka. Drejtuesit aktualë të bashkisë kërkojnë të marrin në dorë fatet e skuadrës, pra të firmosin kontratat e reja dhe të rishohin ato të mëparshmet, duke nxjerrë jashtë “loje” presidentin Gjok Noka.

NOKA 

“Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin Noka, por edhe me financierin e klubit Ded Marku, i cili ka qenë gjithashtu objekt i auditit. Presidenti Noka deklaron: “Duke marrë shkas nga një tymnajë apo zhurmë që është pa baladë brenda, dua të sqaroj se jam president i Besëlidhjes prej 10 vitesh dhe po kontribuoj financiarisht privatisht për të. Nuk ka asgjë tjetër përveçse një aludimi dashakeq në adresën time, që është shpërndarë nga ata që nuk më duan. Por kjo nuk më prish punë fare, nuk është pjesë e imja. Jam president i skuadrës së futbollit Besëlidhja dhe jo përgjegjës i administratës dhe punëtorëve. Ata kanë ngatërruar punëtorët me futbollistët, kjo është punë e tyre dhe nuk mund t’i këshilloj. Sa i përket auditit të fundit, nuk ka të bëjë me futbollistët dhe stafin teknik, por me 11 punëtorët e klubit, që paguhen nga bashkia.

Atë e zgjidhin dhe e sqarojnë vetë përgjegjësit e kësaj fushe. Kjo është një tymnajë, që as më çorodit dhe as më verbon, jam i qetë në punën time. Jam i shqetësuar për ecurinë e ekipit, pasi kemi një objektiv, për të cilin jam i vendosur ta realizoj dhe po punoj fort. Jam i përqendruar totalisht te ndeshja e radhës, nuk dua të ndalemi. Deri tani jam mjaft i kënaqur me ekipin dhe stafin teknik, kam besim të plotë se do ta çojnë në fund misionin që kanë marrë vetë përsipër. Të gjithë janë të kënaqur me mua, pasi janë paguar rregullisht nga ana ime. E kanë shprehur vetë ata, po deshët pyetini. Kjo është pjesa që unë mbuloj te Besëlidhja, jam donator dhe jo rrogëtar”.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"