Pretendentë për Superioren? Magani: Më bindin përforcimet, por jo të rinjtë. Bizhdili më ka premtuar që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2022 | 22:58

Pretendentë për Superioren? Magani: Më bindin përforcimet, por jo të rinjtë. Bizhdili më ka premtuar që…

Besa nuk është ende gati. E megjithatë, Gugash Magani nuk dorëzohet. Ai është i bindur që deri në fund të muajit do të ketë ekipin që do, për të nisur sezonin me pretendime madhore. Zyrtarisht kavajasit kanë bërë 7 afrime.

MAGANI

Merkatoja nisi me mbrojtësit Shaqir Jugu e Joni Nurja, mesfushorët Enes Kuka e Xheron Osma dhe sulmuesit Çinonso Onuh e Frenklin Ntepe, ndërsa mbrëmjen e së hënës zyrtarisht morën edhe mbrojtësin Endri Reçi. Trajneri me përforcimet është i kënaqur, por sigurisht që pret ende. Është gati që t’u japë shansin edhe të rinjve, e megjithatë nuk bën kompromis me cilësinë. Vetëm ata që bindin, do të jenë pjesë e grupit dhe këtë e thotë qartazi në deklaratën e dhënë enkas për “Panorama Sport”:

“Nëse ka një trajner që mbështet, përkrah e motivon të rinjtë, ky është Magani. Këtë e kam treguar kur kam drejtuar Tiranën, Teutën, Flamurtarin, Besën e të tjera ekipe. Veçse duhen ruajtur balancat, pasi nuk përballohet gara me shumë lojtarë të rinj. Duhen lojtarë me peshë, me përvojë e të rinj që marrin minuta. I thashë këto, pasi me keqardhje konstatoj se shumë nga të rinjtë duan shumë e shumë punë, sepse vijnë me mangësi të mëdha nga moshat, veçmas atyre taktike. Thënë më drejt, te Besa do të mbeten fare pak të rinj. Siç po e shihni, ditë për ditë vijnë futbollistë në merkato. Disa edhe të rinj, por me përvojë”.

PLANI – Po grupi në tërësi çfarë mesazhesh i dha Maganit në ditën e parë të stërvitjes? A është kjo Besa për të cilën ai pranoi të merrte drejtimin e stolit? Me sa duket, trajneri i ka të qarta fazat që do të kalojë derisa të ketë organikën që pret. “Siç e patë, u paraqitën futbollistët që Bizhdili afroi në merkato dhe janë cilësorë. Sot (dje) me grupin u bashkua edhe mbrojtësi Endri Reçi. Krahas tyre ka dhe shumë të rinj vendës, por edhe disa në provë të ardhur nga moshat e klubeve. Për vetë ambiciet që kemi dhe një kampionat nga më të fortët që na pret, sigurisht që kërkohen më shumë afrime të tjera cilësore.

Presidenti më ka premtuar se deri me datë 31 korrik, grupi do të plotësohet i gjithi. Atëherë mund t’ju them një mendim përfundimtar mbi forcën e kësaj Bese. Momentalisht po presim afrime të tjera, por edhe po vendosim fatin e disa të rinjve. Kush meriton, do të qëndrojë me Besën, të tjerët jo”, përfundoi numri një i pankinës kavajase.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"