Pret përgjigje nga FSHF-ja për miqësoret, Bylisi ka gati listën e kundërshtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 20:55

Pret përgjigje nga FSHF-ja për miqësoret, Bylisi ka gati listën e kundërshtarëve

Bylisi vazhdon stërvitjen, ndërsa ballshiotët duket se tashmë e kanë të përqendruar tërë vëmendjen te ndeshja e radhës e kampionatit ajo me Tiranën që luhet në “Adush Muça”. Trajneri Veljko Dovedan dhe stafi i tij janë të kënaqur me formën e lojtarëve. Një pjesë e mirë e futbollistëve në periudhën e pandemisë qëndruan në Ballsh dhe në Fier dhe duket se skuadra tashmë ka një gjendje të mirë, ndryshe nga sa ka ndodhur me shumë ekipe të tjera. Por klubi ka vendosur që këtë periudhë dyjavore ta shfrytëzojë në maksimum.
BYLIS
Madje, edhe në fundjavë skuadra do të stërvitet ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, kur lojtarët largoheshin pranë familjeve të tyre. E gjitha kjo që grupi të bëhet më kompakt duke qenë se java që vjen do të jetë e tëra në funksion të ndeshjes me Tiranën.

MIQËSORE – Ballshiotët janë në kulmin e përgatitjeve, që janë alternuar mes stadiumit “Adush Muça” që ka bar natyral dhe kompleksit “Bylis” me tapet artificial. Në Ballsh duket se tashmë ka ardhur koha edhe për ndonjë miqësore e megjithatë kjo mbetet për t’u parë nëse FSHF do t’i lejojë takime të atilla apo ndoshta mund të lihen për javën që vjen duke parë edhe situatën në vendin tonë sa i përket rasteve me “COVID-19”. Në rast se takimet miqësore do të jenë të lejueshme atëherë edhe skuadra ballshiote do të planifikojë ndeshje testuese me ekipet që janë afër, ndoshta Apolonia, Tomori apo Lushnja, apo ndonjë ekip tjetër që do të jetë i lirë.

SITUATA – Ballshiotët kanë pasur mangësi në seancat e para të kësaj jave, ku kanë munguar Visente, Hidi dhe Bici. Lojtarët e tjerë janë nën urdhrat e trajnerit Dovedan, ndërsa është rikuperuar edhe Edison Ndreca, që u dëmtua në Laç në muajin shkurt.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"