Pret çfarë do të mbetet, Elbasani ngec në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2019 | 15:47

Pret çfarë do të mbetet, Elbasani ngec në merkato

Kategoria e Parë do edhe një muaj të startojë, por duket se verdheblutë nuk janë gati për të qenë konkurrues me ekipet e tjera. Me lojtarët që janë duke u stërvitur aktualisht me elbasanasit, nuk premtohet asgjë dhe rënia duket pothuajse e sigurt.

Tomori-Elbasani Berat

Këtë sezon pritet një kampionat më i fortë se i kaluari, për shkak edhe të formulës së ndryshuar, ndaj Elbasani nuk do ta ketë të lehtë të mbijetojë. Skuadra duhet të ribëhet thuajse plotësisht, pasi aktualisht ka pak lojtarë që vlejnë për të luajtur në Kategorinë e Parë. Kur ka kaluar një javë stërvitje, në dispozicion të trajnerit Lleshanaku mungojnë futbollistët cilësorë dhe për momentin thjesht sa formohet një formacion për të marrë pjesë në kampionat.

Asnjë repart nuk është i plotësuar, ndaj verdhebluve u duhen shumë ndërhyrje në merkato për të nisur plotësimin e pozicioneve kyçe. I vetmi lajm pozitiv gjatë kësaj periudhe për elbasanasit është nisja e përgatitjeve, sepse deri një javë më parë klubi nuk ekzistonte fare dhe vihej në diskutim edhe fillimi i stërvitjes. Kjo javë shihet si e rëndësishme në afrimin e ndonjë elementi të ri në skuadër, por më shumë shpresat për afrime janë të lidhura pas startit të Superiores. Lojtarëve që nuk do të firmosin me ndonjë skuadër të elitës pritet që t’u ofrohet një vend në ekipin e Elbasanit.

V. Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"