Presioni për fazën përgatitore, klubi gjen paratë për në Mal të Zi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 13:16

Presioni për fazën përgatitore, klubi gjen paratë për në Mal të Zi

Presioni nga stafi teknik, media dhe tifozët kanë bërë që drejtuesit e Vllaznisë të sigurojnë fondet e nevojshme dhe skuadra të zhvillojë fazën përgatitore në Mal të Zi. Fillimisht, një gjë e tillë u anulua për shkak të krizës financiare. Por, pas një presioni të madh, drejtuesit kanë bërë gjithçka për të gjetur fondet dhe kanë arritur t’i sigurojnë.

Vllaznia festa

Mësohet se javën e ardhshme pritet që ekipi të udhëtojë drejt Malit të Zi për zhvillimin e fazës përgatitore. Pa dyshim, gjatë qëndrimit atje, skuadra do të zhvillojë edhe të tjera miqësore që do ta ndihmojnë stafin teknik për harmonizimin sa më të mirë të skuadrës. Një fazë e tillë është pritur që të zhvillohet që në fillim të muajit, por problemet financiare bënë që gjithçka të shtyhej.

Vetë trajneri Armando Cungu e ka konsideruar një mungesë të madhe moszhvillimin e një faze përgatitore. Në këtë mënyrë, drejtuesit kanë bërë gjithçka duke gjetur fondet që ekipi të zhvendoset në shtetin fqinj për të zhvilluar fazën përgatitore të verës përpara nisjes së kampionatit.

Edhe një vit më parë, Vllaznia u zhvendos në Mal të Zi ku zhvilloi fazën dhe disa takime miqësore. Gjatë këtyre ditëve, shkodranët i kanë zhvilluar seancat stërvitore në qytetin e tyre duke sfiduar temperaturat shumë të larta të këtyre ditëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"