Presioni i Moçkës: E mundim Luftëtarin, do mbijetojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 22:16

Presioni i Moçkës: E mundim Luftëtarin, do mbijetojmë

Shpëtim Moçka ndihet keq si vlonjat kur e shikon në fund Flamurtarin, por është i bindur se zgjidhja do të vijë shumë shpejt dhe se kuqezinjtë do të kthehen ku e meritojnë.

shpetim mocka kordeiro melo

Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri Moçka tha se ndryshimi duhet të fillojë që nga ndeshja me Luftëtarin, ku duhet të shijohet fitorja e parë. Kujtojmë se portieri 30- vjeçar ishte njeriu i ndeshjes për kuqezinjtë në barazimin që morën ndaj Partizanit.

Mendoni se mund të arrihet fitorja e parë në këtë kampionat me Luftëtarin? 

Patjetër që po. Ne mendojmë se do të kthehemi te fitorja e parë në këtë kampionat dhe kjo do të ndodhë në ndeshjen me Luftëtarin. Kemi punuar mjaft mirë këto dy javë që ka qenë edhe pauza e kampionatit dhe mendoj se do të bëjmë më të mirën në këtë takim duke marrë maksimumin.

I druheni Luftëtarit në këtë ndeshje? 

Luftëtarin e respektojmë shumë. Ky kampionat ka treguar që të gjitha ekipet nuk kanë shumë diferenca me njëra-tjetrën. Ndaj, në çdo ndeshje duhet që të bëjmë kujdes dhe të jemi sa më të vëmendshëm.

Kridens Meta - Muzaka - Mocka

Sa besim keni se do të ndryshojë situata te Flamurtari? 

Kam besim të plotë që situata do të ndryshojë te Flamurtari, pasi edhe grupi që kemi në përbërje është i mirë dhe nuk e meritojmë të jemi në vend të fundit të tabelës.

Keni marrë garanci nga drejtuesit për financat?

Po, patjetër që kemi marrë garanci. Ne duhet të mendojmë për fushën e lojës. Gjërat e tjera, kemi besim të gjithë ne si lojtarë dhe stafi, që do të zgjidhen.

Si është atmosfera në ekip?

Atmosfera ka qenë pozitive këto dy javë. Djemtë janë stërvitur mjaft mirë. Shpresoj që kjo gjë të vihet re edhe ditën e shtunë duke e fituar takimin.

Duke qenë se jeni në fund të klasifikimit, jeni të demoralizuar?

Është e vërtetë që jemi në vend të fundit në klasifikim, por siç e thashë edhe më lart, ne jemi të gjithë të bashkuar për të dalë nga kjo situatë ku ndodhemi.

Sa i ka shanset ky Flamurtar të qëndrojë në Superiore? 

Mendoj se Flamurtari ka shanse të qëndrojë në Superiore, pasi ekipet aty-aty janë. Edhe Laçi para disa javësh ishte në vend të tetë me katër fitore, por tani është pretendent për Kupat e Europës.

Çfarë ndjenje keni si vlonjat kur e shihni në fund ekipin?

Patjetër që asnjë vlonjat nuk do që ta shikojë Flamurtarin në vend të fundit, por do ta shikojë aty ku i takon këtij emri legjendar.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"