“Presioni është mbi Gjermaninë favorite”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2014 | 16:20

“Presioni është mbi Gjermaninë favorite”

DeshampI pëlqen të shkojë në Rio me statusin e skuadrës jo favorite për t’ua lënë presionin gjermanëve. Por Didie Deshamp nuk mendon se Franca do të shkojë për hakmarrje në “Marakana” të premten ora 18:00, për eliminimin në gjysmëfinale të “gjelave” nga “pancerat” në “Spanjë 1982” dhe “Meksikë 1986”.
Si e vlerësoni kundërshtarin e Francës në çerekfinale, Gjermaninë?
Gjermania ka luajtur në dy gjysmëfinalet e fundit të dy turneve të fundit Botërorin e 2010-ës dhe Europianin e 2012-ës. Është një skuadër me eksperiencë dhe e një niveli të jashtëzakonshëm, e cila në këtë fazë të turneut përmirësohet gjithnjë.
Në 6 ndeshjet e fundit që pas ribashkimit të Gjermanisë, Franca është mundur vetëm 1 herë. Kush është skuadra favorite?
Po, por po t’u hedhim një sy rezultateve të Gjermanisë dhe Francës në 6 vitet e fundit, as që kanë të krahasuar. Do të vendosë shumë forma e momentit. Kur në fillim të Botërorit më pyetën për skuadrat favorite, unë përmenda Gjermaninë dhe jo Francën.
Por Franca synon që të triumfojë në Brazil?
Të gjithë mund të ëndërrojmë, por unë preferoj që të jem realist dhe pragmatist. Dhe realiteti sot është Gjermania. Ajo që ka rëndësi në këto momente është vetëm ndeshja e së premtes. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të jemi të kënaqur me mbërritjen deri në çerekfinale, por edhe ky kualifikim duhet vlerësuar. Nëse ne do të eliminoheshim me Nigerinë, ju do ngrinit shumë dyshime. Por e theksoj se ndaj Gjermanisë ne nuk do të shkojmë si turistë.
Lëv nuk pranoi të flasë për fitoren e Gjermanisë kundër Francës në Botërorin e Spanjës. Por ju a do t’i motivoni lojtarët për t’u hakmarrë për eliminimin në gjysmëfinalen e 1982-it?
Ai ka shumë të drejtë që nuk flet. As unë nuk do u flas lojtarëve për të shkuarën. Shumica e këtyre lojtarëve nuk kishin lindur në atë vit. Çfarë t’u them? Si t’i motivoj? Nëse duam t’u flasim për 2006-ën shumë mirë. Dakord, ekzistojnë videot, por ato janë diçka krejt tjetër kur nuk e përjeton në fushë. Ne duhet të ecim me kohën dhe ta lëmë pas historinë. Nuk do të hyjmë si armiq të vjetër në fushë.
Po, por juve ju kujtohet përplasja e famshme mes Shumakerit dhe Batistonit?
Unë isha 14 vjeç atëherë dhe në 1982-shin kam kujtimet e para të skuadrës së Francës. Ajo dalje e portierit të Gjermanisë ishte brutale, përderisa Batiston përfundoi në koma dhe flitet edhe sot e kësaj dite. Edhe pse ndodhi një skenë e tmerrshme, ajo ka lënë gjurmë në mendjet e njerëzve dhe historinë e futbollit francez.
A do të rikthehet sërish Sakho me Gjermaninë?
Unë nuk shqetësohem shumë nëse luan Sakho apo Koshielni. Ne arritëm ta zëvendësonim shumë mirë me Nigerinë. Unë nuk do të ndikohem nga kundërshtari që do kem përballë, pra Myleri. Por, di t’ju them se deri të premten Sakho do jetë i gatshëm pas tërheqjes muskulore.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"