Presion nga Çelsi për Brojën? Trajneri i Sauthempton “kopjon” Edi Rejan: Ka nevojë ta shtyjnë në limite, ja kur do të luajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 17:49

Presion nga Çelsi për Brojën? Trajneri i Sauthempton “kopjon” Edi Rejan: Ka nevojë ta shtyjnë në limite, ja kur do të luajë

Armando Broja i ka bërë një start shumë të mirë këtij sezoni të ri që e gjen të huazuar në radhët e Sauthempton. AI shënoi shpejt 2 gola në Kupën e Ligës me ekipin e tij dhe më pas shënoi edhe dy herë të tjera më përfaqësuesen teksa dha edhe dy asiste. Kjo bëri që në rrjetet sociale në Angli të niste diskutimi rreth djaloshit shqiptar i cili sot festoi 20-vjettorin, nëse ai duhej të luante titullar me Sauthempton.

broja 2

Tifozët e Çelsit, klub i cili zotëron kartonin e Brojës, i kanë kërkuar klubit që të shtyjë Sauthempton që të aktivizojë më rregullisht lojtarin në kampionat. Për të gjitha këto situata dhe kur Broja do të jetë një lojtar i rregullt në radhët e klubit të tij, ka dhënë sqarimet sot trajneri Ralf Hasenhutl, i cili ashtu si Edi Reja pak ditë më parë, shpjegoi se pse Broja nuk është ende një titullar fiks te Sauthempton dhe se kur pret ai që të jetë një i tillë.

“Nuk është shumë larg. Mendoj se kishte një impakt të mirë gjatë ndeshjes së fundit, kur u aktivizua si zëvendësues kundër Njukasëll. Jam shumë i lumtur që na tregoi cilësitë e tij pasi erdhi këtu. Iu desh pak më shumë se Libramento që të tregonte se sa i mirë mund të jetë dhe është një njeri i cili mendoj se duhet shtyrë në limite gjithmonë.

Kur ai të zhvillohet si lojtar, ai do të ketë të gjithë cilësitë që mund të na ndihmojnë. Ai mund të finalizojë dhe është i shpejtë. Ai duhet të punojë shumë që të ketë mundësinë që të luajë dhe jam i sigurt se do ta ketë atë mundësi.

Edhe nëse do të ishim nën trysni nga Çelsi që ta aktivizonim, është më e rëndësishme që ai të meritojë të luajë. Këtu nuk bëhet fjalë për trysni nga Çelsi, ai do të luajë nëse është më i mirë se sulmuesi tjetër këtu. Dhe nuk ka të bëjë me sa para më shumë do t’u paguajmë nëse nuk luan. E rëndësishme për mua është që ai të ketë mundësinë të luajë kur mendoj se mund të më japë diçka që të tjerët nuk ma japin. Kur ta bëjë një gjë të tillë, ai do të meritojë të luajë dhe kjo është ajo që do të shohim gjatë këtij sezoni”, theksoi trajneri austriak i Sauthempton.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"