Presion me kandidatë në hije dhe ndërhyrje në formacion, ja prapaskenat te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 12:10

Presion me kandidatë në hije dhe ndërhyrje në formacion, ja prapaskenat te Tirana

“Tirana nuk ka presion, Tirana është presioni vetë”, pati deklaruar Refik Halili me doza humori pak javë më parë. Ishte i sinqertë. Historia ka treguar se në këtë klub janë shkarkuar trajnerë edhe pasi kanë fituar titullin… Po Julian Ahmataj? Rrezikon të hyjë në histori për dy gjëra te bardheblutë: së pari, si një nga trajnerët më jetëshkurtër, por mbi të gjitha, ndër të paktët që mori guximin të thotë se nuk punohet kur luftohesh nga brenda.

refik halili

Po, po, nga brenda, nga ata që duhet të jenë krahu i djathtë dhe të të thjeshtojnë punën. Julian Ahmataj gjithsesi refuzoi të përmendë emra apo të shpjegojë se çfarë e detyroi të dalë me një deklaratë aq të fortë. “Panorama Sport”, e vetmja media që ndjek në përditshmëri zhvillimet në klubin bardheblu, është interesuar në imtësi për atë që ka ndodhur me Ahmatajn. Dhe problemet janë dy: mungesa e besimit nga drejtuesit dhe interferime të jashtme, që janë lexuar nga trajneri si ndërhyrje në zgjedhjet e tij. Le t’i marrim gjërat me radhë…

Tirana Ahmataj-Halili

DYSHIMET QË NË START…

Julian Ahmataj ishte zgjedhja e parë e Halilit pas largimit të Memës. Ishte preferenca e presidentit, por jo e të gjithëve. Burimet tregojnë se një nga njerëzit e afërt të presidentit, Devi Muka, kishte propozuar me këmbëngulje Bledar Devollin. Ky i fundit është sot trajner i të rinjve të Tiranës. Një kandidat në hije, pra, gjatë gjithë kohës për Ahmatajn… Përtej kësaj, këshilltarë jozyrtarë të Halilit, ose e thënë ndryshe, njerëz që rrinë pranë tij dhe shpesh madje, kishin shprehur një simpati më të madhe për Devollin. Si përfundim, Halili mori vendimin final për Ahmatajn, por ky i fundit e dinte se cilin kishte “pro” dhe “kundër” në rrethin e presidentit. Më tej vazhdoi puna dhe duke qenë se rezultatet në ndeshjet e para nuk ishin ato që priteshin, atëherë nisi presioni i brendshëm, ndonjëherë i papërballueshëm, që prodhon Tirana në korridoret e saj. Ahmatajt nisin t’i vijnë fjalë, shpesh edhe të dyshimta, se drejtuesit ishin të pakënaqur, se dikush po i punonte pas krahëve, madje edhe se po projektohej pasardhësi i tij. Rrjedhimisht, Ahmataj vendosi t’i besojë gjithnjë e më shumë gardës së vjetër, duke pasur mbështetjen edhe të një grupi lojtarësh, me Osmanin në krye. Dhe këtu nis një tjetër problem…

tiranaaa

NDËRHYRJET NGA JASHTË…

Është e pashmangshme në futbollin shqiptar që një trajner të mos përballet gjatë punës së tij me “propozime miqësore”, “ide inovative”, apo edhe sugjerime nga lart për formacionin. Julian Ahmataj mësohet se ka pasur vazhdimisht “sugjerime” nga jashtë. Jo nga vetë Halili, por dikush i ka folur edhe në emër të tij. Kjo, përveçse e ka zhgënjyer, e ka bërë edhe nervoz. Në momente të caktuara, trajneri i Tiranës është përballur edhe me kritika të ashpra nga njerëz që rrinë pranë Halilit për zgjedhjet që ka bërë. Është ndierë ligsht dhe ka menduar se është vetëm. Më pas, humbja dramatike në Korçë me gola naivë të pësuar nga një ekip që synon titullin. Është revoltuar, është ndierë i braktisur dhe i sulmuar nga brenda dhe përfundimi ishte i qartë dhe i hidhur: “Duan të më shkarkojnë, por po jap dorëheqjen”.

FRIKA E DËSHTIMIT

Ekziston edhe një shkak i fundit që Julian Ahmataj shpërtheu. Që ditën e parë foli që ka skuadër të mirë dhe mund të bëjë gjëra të mëdha, por në fund, në katër takime ka marrë pesë pikë më pak se paraardhësi i tij. Një situatë që ndoshta e ka frikësuar trajnerin, i cili duke ndierë që skuadra mund të ngecë, po i paraprin një dështimi të mundshëm dhe vendos që të largohet pa marrë skuadra tatëpjetën.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"