Presion Lopeteguit, Reali vendos kontakte me trajnerin italian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 13:28

Presion Lopeteguit, Reali vendos kontakte me trajnerin italian

Pista e Antonio Kontes merr gjithnjë e më shumë formë në shtëpinë e Realit të Madridit. Nëse raporti mes kampionëve të Europës dhe trajnerit pasardhës të Zinedin Zidanit, Hulen Lopetegui, do duhet të përfundojë përpara kohe, atëherë emri në krye të listës së dëshirave të presidentit Florentino Perez, mbetet gjithnjë ai i teknikut italian.

Lopetegui

Mediat italiane kanë që në fillim të muajit tetor që flasin për një lidhje të tillë, por tema është bërë edhe njëherë aktuale pas informacioneve të një kontakti të mundshëm mes drejtuesve të klubit spanjoll dhe ish-trajnerit të Çelsit, kombëtares italiane dhe Juventusit. Dhe palët duken të gatshme që t’i mbyllur shpejt çështjet kontraktuale, të cilat e lidhin italianin me ish-klubin e tij, Çelsin. Konte dhe Abramoviç janë në mes të një çështjeje gjyqësore për dëmshpërblimin që i takon trajnerit pas shkarkimit nga “Stamford Bridge” në fund të sezonit.

Konte

TAKIMI – Sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”, njerëzit pranë presidentit të Realit të Madridit, pasi kanë vendosur kontaktet me Konten për të sunduar terrenin e gatishmërisë së tij, kanë gjetur disponueshmëri të madhe nga ana e trajnerit për të drejtuar gjigantët spanjollë. Presioni mbi Lopeteguin sa vjen edhe shtohet në “Santiago Bernabeu”. Skuadra e tij nuk fiton në katër ndeshjet e fundit. Sipas shtypit spanjoll, trajnerit të Realit i është vendosur një ultimatum dhe 5 ndeshjet e radhës së mbretërorëve në 15 ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e tij. Për ish-trajnerin e kombëtares spanjolle dhe Portos, klasikja kundër Barcelonës në 28 tetor mund të jetë ndeshja decizive. Dhe Barcelona-Real pritet të ketë edhe një spektator më shumë të interesuar për atë që ndodh në fushën e “Camp Nou”-t, Antonio Konten.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"