Presin Burrelin me tri mungesa, Agim Canaj: Mos falim për mbijetesën! Koha për fitore dhe… gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2022 | 10:48

Presin Burrelin me tri mungesa, Agim Canaj: Mos falim për mbijetesën! Koha për fitore dhe… gola

Lushnja është mbërthyer nga “ethet” e mbijetesës. Skuadra kërkon të marrë sa më shumë në pesë ndeshjet e mbetura dhe duhet thënë që kalendari i favorizon. Dy të radhës i luajnë në “Roza Haxhiu”, fillimisht me Burrelin dhe më pas atë Erzenin. Edhe pse matjanët i presin me mungesa (Moqi, Alillari dhe Xhymerti janë të dëmtuar), Agim Canaj nuk e mendon blofin. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, trajneri tha se u bën punë vetëm fitorja.

AGIM CANAJ

“Ekziston një lloj tensioni dhe këto janë pasoja nga renditja. Skuadra nga ndeshja në ndeshje e ka rritur performancën, por në fund llogaritë bëhen me pikë. Loja nuk mjafton gjithnjë dhe këtë ua thashë çunave këtë javë, por edhe para Korabit.

Nesër (sot) presim Burrelin dhe jemi në një fazë që nuk mund të gabosh në fushën tënde.

Futbollistët janë të përqendruar dhe pres që të japin 100%-shin. Dhanë një shkëndijë të mirë në Peshkopi. Ajo që na ka munduar gjithmonë, është shënimi i golit.

Aty ku kemi pasur problematika gjithmonë. Dëmtimet e herëpashershme të lojtarëve kryesorë, na kanë munduar. Ky është kontingjenti ynë dhe do të bëjmë maksimumin me ata që kemi. Shpresoj shumë dhe lojtarët i shoh të karikuar.

Në fund të fundit, vetëm fitorja në bën punë”, u shpreh fillimisht vlonjati. Lushnja vjen në ndeshjen me Burrelin pas pesë barazimeve radhazi dhe bie në sy shënimi i paktë i golave.

“Kemi mangësi në sulm. Canka ka vuajtur dëmtimet në disa ndeshje, ndonëse edhe ka sakrifikuar në momente të caktuara. Nesër (sot) është gati ama.

Xhymerti do të hyjë në operacion, Alillari ka dy javë e gjysmë i dëmtuar në menisk. Kjo na bën që grupi të jetë ky që është. Të tjerët janë munduar me cilësitë që kanë.

Në fund të fundit, ajo që na mundon është marrja e tri pikëve. Kemi pasur shumë ndeshje të dominuara me lojë, me raste, por goli është ai që të nderon. Shpresoj shumë sot.

E shoh ekipin të mobilizuar. Me shumë grintë edhe në stërvitje. Ndeshja në Peshkopi na bëri mirë, na ngriti entuziazmin. Tani kemi ndeshjet në shtëpi dhe duhet të japim zemrën në fushë. Pa atë nuk arrijmë dot”, përfundoi numri një i pankinës së Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"