“Presim edhe dy afrime këto ditë”, Ramadani: Partizani është super, por luajmë për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 10:13

“Presim edhe dy afrime këto ditë”, Ramadani: Partizani është super, por luajmë për fitore

Kategoria Superiore hap sot siparin për këtë vit kalendarik me ndeshjet e javës së 16-të. Egnatia e nis me një përballje shumë delikate këtë vit, përballë Partizanit në shtëpi. Ashtu si të kuqtë, edhe skuadra e Zekirija Ramadanit ka presionin e suksesit ditën e sotme. Trajneri i rrogozhinasve, Zekirija Ramadani, ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”. Ai shprehet se ndaj Partizanit do të tentohet fitorja, teksa flet për merkaton dhe për dëmtimin e Bruno Telushit, që ka krijuar jo pak telashe për trajnerin.

ZEKERIJA RAMADANI

Jeni i kënaqur me situatën e deritanishme tek Egnatia?

Jam i kënaqur me kushtet që na janë krijuar. Jam i kënaqur edhe me afrimet e merkatos që klubi ka bërë mirë deri tani. Bashkëpunimi ka qenë serioz. U mendua që të jemi konkretë në gjithçka.

Çfarë prisni nga ditët e mbetura të merkatos?

Presim edhe dy përforcime me vlera këto dy ditë. Pastaj merkatoja mund të quhet e mbyllur tërësisht. Skuadra e ka ruajtur bazën e ekipit. Kemi pasur nevojë për pak ndërhyrje. Çdo afrim ka vlerë, por u duhet edhe kohë për t’u përshtatur. Çdo prurje e re është analizuar me detaje. Them se do e vërtetojmë se nuk kemi gabuar. Grupi që ka Egnatia është premtues, thjesht do të duhet pak kohë për t’u përshtatur.

Sa jua prishi planet dëmtimi i Telushit?

Çdo lojtar është i rëndësishëm, por Telushi është mungesë e madhe, sepse dihen vlerat e tij të mëdha. Mungesën e tij jemi munduar ta mbulojmë me një lëvizje të vogël në rreshtimin e ekipit. Rikthimi i Agbekpornut nga dëmtimi është përforcim më vete për ne. Mendoj se jemi të plotësuar edhe me Pedron në sulm. Nisja e mbarë do të na vlente shumë të gjithëve. Pres bashkëpunim profesional nga të gjithë djemtë. Me përkushtim arrihet gjithçka.

Luani ndaj një skuadre si Partizani, a besoni te suksesi?

Do të kemi përballë një superskuadër, siç e dinë të gjithë. Duhet të luajmë me shumë tru. Shpirti luftarak e sportiv duhet të na jetë arma jonë më e madhe. Të gjithë presin më të mirën nga ne. Nuk do të zhgënjejmë aspak. Fitorja mbetet pikë kyçe. Jemi 100% të motivuar në këtë përballje e në vijim.

Cilët janë objektivat e Egnatias?

Egnatia beson në forcat e saj. Kam pak muaj këtu dhe po ndihem shumë mirë. Objektivi ynë është renditja në pesë vendet e para. Ftoj të gjithë tifozët të na bashkohen nesër dhe ta ndjekin ekipin në çdo ndeshje. Kam parë një tifozëri të zjarrtë këtu, të bashkuar ia dalim.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"