Presidenti Takaj: Penalltitë ishin, boll me polemika në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2016 | 14:19

Presidenti Takaj: Penalltitë ishin, boll me polemika në start

Skënderbeu e nisi me fitore kampionatin, duke mundur Flamurtarin në Korçë me shifrat 2-1. Presidenti Ardjan Takaj është i kënaqur për këtë start, teksa në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se Skënderbeu i tij është pretendenti numër një për titullin kampion. Takaj nuk preferoi të komentojë rivalët, ndërsa reagoi pas akuzave të bëra nga babai i futbollistit të ri kosovar, Blendi Baftiu.

Ardian-Takaj-Skenderbeu-658x494

President, Skënderbeu e nis me tri pikë sezonin. Jeni i kënaqur?

Normalisht është mirë kur ekipi fiton dhe nuk ka sesi të mos jesh i kënaqur që sezoni nis në rrugën e duhur. Të them të drejtën e prisja që ekipi të fitonte ndaj Flamurtarit, pavarësisht se ishte një ndeshje përballë një kundërshtari të fortë. U treguam të zotë që fituam.

E mbyllët me Flamurtarin dhe e nisët kundër kësaj skuadre. Duket se Skënderbeu ua ka marrë dorën vlonjatëve…

Shikoni, historikisht kundër Flamurtarit kemi pasur probleme dhe nuk e kemi pasur “fushë me lule” ndaj tyre. Këtë sezon janë një ekip i fortë dhe e treguan në Korçë me lojën që bënë. Më të vështirë e bëri fakti që ishte ndeshja e parë dhe ekipi ende nuk është konsoliduar, por megjithatë e thashë që jam i kënaqur që e nisëm me fitore.

Çfarë përshtypjeje ju la interpretimi i lojës që bëri trajneri Agostineli në debutim?

Është ende shpejt të japësh vlerësimin që me 90 minutat e para. Ekipi ka nevojë edhe për pak kohë që të jetë në formë të plotë dhe të tregojë më së miri ato që di të bëjë. Megjithatë, skuadra luajti mirë dhe meritat i takojnë edhe trajnerit. Patëm raste për shënim dhe duhet të ishim treguar më të saktë në finalizim.

Megjithatë, fitorja erdhi nga pika e bardhë, madje vlonjatët kontestuan ashpër 11-metërshin e dytë. Si e komentoni?

Është shumë e thjeshtë të kërkosh të bësh polemikë, por nuk mendoj se atëherë kur janë evidente penalltitë, sikundër ishin të dyja në këtë takim, të ketë vend për diskutime. Duken qartë që të dy penalltitë ishin evidente.

salihi gol skenderbeu

Edhe Partizani rival fitoi në fund me një penallti…

Nuk dua të komentoj askënd, aq më tepër Partizanin. Nuk e shoh të drejtë të kërkosh të bësh polemikë që në minutat e para të kampionatit. Është vetëm java e parë dhe do të ishte e tepruar ta nisnim me ankesa.

Në momentin kur Salihi mori përsipër të godasë penalltinë e dytë, pasi humbi të parën, patët frikë?

Jo, aspak, madje isha shumë i qetë. E dinë të gjithë se kush është Salihi dhe aftësitë e tij janë të dukshme. Nuk gabon dy herë rresht.

Do të jetë sërish Skënderbeu pretendent kryesor për titullin?

Pa dyshim, por nuk është se kjo fitore e tregoi plotësisht këtë gjë. Kjo është diçka që dihet dhe nuk e vë askush në dyshim. Ne jemi pretendentë këtë vit dhe nëse do të thosha të kundërtën, atëherë të gjithë do ta merrnin për ironi nga ana ime.

Tanimë kundër Korabit pa tifozë, prisni fitoren e radhës?

Do të jetë një test tjetër i vështirë, pasi kështu pritet të jenë të gjitha takimet e këtij kampionati. Pa dyshim që do të kërkojmë që të hyjmë në çdo takim vetëm për tri pikët, ky është objektivi ynë.

Babai i talentit kosovar, Blendi Baftiu, që u largua nga Skënderbeu, ju ka akuzuar për trajtim jo të mirë të lojtarit. Keni ndonjë reagim?

blendi baftiu

Të ankohesh për trajtim te Skënderbeu, askush nuk të beson dhe të gjithë do të qeshin ndaj këtyre akuzave. Djaloshi është trajtuar sikundër di të trajtojë Skënderbeu, që është një klub model tashmë nga të gjitha anët. Është strehuar në hotelet më të mira dhe është ushqyer me ushqime të zgjedhura.

Nga ana tjetër, për sa i përket lejekalimit, Skënderbeu duhet ta dinë të gjithë se nuk është han me dy porta që mund të hyjë dhe të dalë njeri sipas qejfit. Gjithçka bëhet me marrëveshje sipas kontratave të përcaktuara nga klubi. Edhe për këtë më vjen keq që të diskutosh dhe të thuash të kundërtën. Djaloshit i mungonte familja dhe nuk qëndronte dot larg saj. Ne nuk e kemi penguar, por e kemi trajtuar më së miri lojtarin.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"