Presidenti Takaj “driblon” për gjyqin: Presim edhe një brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 20:10

Presidenti Takaj “driblon” për gjyqin: Presim edhe një brazilian

Lajmi për “shfuqizimin” e KAS-it ka ndezur shpresat në Korçë. Vetë Ardjan Takaj thekson se e ka lexuar lajmin, megjithatë evidenton se nuk është koha për të bërë komente, e sidomos kur dihet që procesi në Lozanë është ende i hapur. Edhe pse e “dribloi” këtë çështje, në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” u tregua i hapur për të folur rreth ekipit, objektivave dhe merkatos. Madje, në fund nuk ngurroi që të zbulonte se sot do të vijë në Korçë një mesfushor brazilian.

takaj

Një gjyq i nisur në Bruksel nga një klub belg mund të zhbëjë vendimin e KAS-it. Sa shpresë i jep Takajt ky fakt, pasi edhe Skënderbeu fare mirë mund t’i drejtohet një gjykate shqiptare?

Të jem i sinqertë, vetëm në media e kam lexuar dhe nuk e kam idenë fare. Nuk mund të them asnjë gjë më tepër, pasi jemi para një procesi.

Kur pritet vendimi?

Nuk di të them, pasi ende nuk është vendosur as data e seancës dëgjimore.

Të kalojmë te pjesa sportive. Pati një lloj “frike” fillimisht prej largimeve, por Skënderbeu vazhdon të komandojë kampionatin…

Nuk po investojmë sot te Skënderbeu, pasi u bën vite. Edhe ata që janë pjesë e këtij ekipi nuk kanë ardhur në këtë merkato vere. OK, janë të rinj, por prej vitesh janë pjesë e këtij klubi. Dashur pa dashur, kanë përvojën e duhur. Është momenti i tyre, ndaj le të shpalosin vlerat.

E prisnit një start të tillë, apo jua prishi disi llogaritë barazimi me Laçin?

Nuk ka të bëjë fare. Një barazim nuk mund të na prishë llogaritë. Rëndësi ka që të funksionojë ekipi. Kemi lojtarë të rinj në grup, të cilët kërkojnë edhe ata kohën e tyre që të përshtaten. Pastaj, edhe trajneri është i ri, ndaj do i lëmë që të gjithë kohën e domosdoshme.

I keni vendosur objektiv ekipit për këtë sezon?

Nuk ka asnjë objektiv Skënderbeu. Pastaj gjithkush që është pjesë e këtij ekipi, e di fare mirë se çfarë synimesh ka ky klub.

Do kemi ndonjë surprizë të fundit në merkato, meqenëse ekziston mundësia që të federohet ndonjë lojtar, i cili nuk ka kontratë?

E kemi rezervuar edhe një surprizë të vogël.

Mund të thoni diçka më shumë?

Një brazilian e presim nesër (sot) dhe është mesfushor. Kaq po them.

Skuadra ka programuar miqësore me Pobedën, një ekip që nuk ka shumë që ka ezauruar dënimin 8-vjeçar nga UEFA. Pse pikërisht ky kundërshtar?

Seriozisht, nga ju (i referohet gazetës) e mora vesh se cila është Pobeda. As nuk e kisha fare idenë dhe nuk e di as ku i bie ky ekip. Po kërkonin një miqësore dhe kaq. Mos mendoni se ne i mendojmë të tilla prapaskena. Këto janë përralla. Nuk i gjetëm ne, ata ne gjetën ne. Meqenëse Fakiç është nga Shkupi, kanë gjetur kontaktin për të zhvilluar një ndeshje testuese. S’ka histori. Pastaj, tani e mora vesh që qenka një ekip i dënuar.

Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"