Presidenti Qarri ka besim te Gjoka: Është “usta”, nuk do i ndërhyjë askush

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 19:45

Presidenti Qarri ka besim te Gjoka: Është “usta”, nuk do i ndërhyjë askush

Pas pritjes së stërgjatë, Kamza më në fund ka trajner. Dhe duket se zyrtarizmi i Ernest Gjokës ka ndikuar më shumë se për mirë edhe në psikologjinë e lojtarëve. Këta të fundit nuk e kanë pasur shumë të lehtë pa një trajner, ndaj tashmë kanë fituar edhe moral. Dhe ndryshimi u pa në stërvitjen e djeshme, ku angazhimi ishte në maksimum.

qarri-naim-1

QARRI – I qetë duket edhe vetë presidenti Naim Qarri, i cili, me emërimin e trajnerit, mendon se gjithçka do të ndryshojë te Kamza. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai pohoi se me Ernest Gjokën do të zgjidhet edhe ngërçi i rezultateve që i ka kapluar për javë të tëra. “Kam besimin te trajneri i ri, sepse është një ‘usta’ që di të mbledhë skuadrën dhe të rrisë kërkesat ndaj lojtarëve. Nga ana jonë nuk do t’i mungojë asgjë, as mbështetja maksimale dhe as korrektësia. Asnjë prej drejtuesve të klubit nuk ka shkak që t’i ndërhyjë në punët e tij, ashtu siç kemi vepruar edhe me trajnerët e tjerë. Ai e di vetë së ç’bën me ekipin. E kam besimin se Nesti di të zgjidhë gjithçka që i duhet skuadrës në këto momente. I uroj punë të mbarë dhe suksese!”, u shpreh kreu i klubit kamzali.

SITUATA – Për Kamzën nuk do të ketë pushime deri në ndeshjen e radhës kundër Kukësit, të cilën do ta luajë në shtëpi. Ekipi, edhe dje, ka dalë në stërvitje. Të gjithë ishin të pranishëm me përjashtim të kapitenit Sebino Plaku dhe portierit Mario Kirev. Ata kanë marrë leje nga klubi për problemet e tyre familjare. Seancat stërvitore kanë qenë plot entuziazëm dhe lojtarët janë stërvitur me qejf dhe plot dëshirë.

“Kishim nevojë për t’u stërvitur, pasi kishim rënë edhe fizikisht. Jemi të përkushtuar jo vetëm që t’i shërbejmë skuadrës, por edhe të marrim veten pas traumës psikologjike të rezultateve të dobëta”, kanë thënë disa nga futbollistët në bisedë me gazetën. Kamza, në javën e 14- të, do të ketë vetëm një mungesë të sigurt, atë të mesfushorit Argjend Malaj, i cili ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"