Presidenti i Turbinës shpalos objektivat: Ju tregoj çfarë synojmë këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 18:56

Presidenti i Turbinës shpalos objektivat: Ju tregoj çfarë synojmë këtë sezon

Pas gati një dekade që investon te Turbina, këtë vit pret hapin e madh. Plot 11 afrime janë bërë vetëm me një qëllim: për vendin e dytë. Është ky objektivi që ka vendosur Gentian Gjoka për cërrikasit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i klubit tregon si e transformoi ekipin gjatë kësaj merkatoje, si edhe planet që ka për promovimin e të rinjve.

gentjan gjoka

President, si ka qenë ky sezon për Turbinën?

Turbina e ka arritur objektivin e saj fillestar, duke ecur në sinkron me politikat që ka klubi. Ne duam të promovojmë lojtarët e talentuar dhe mjafton të shihni futbollistët që kanë kaluar në ekipet elitare këtë merkato, por edhe ata që kanë shkuar për të luajtur jashtë vendit. Falënderoj kryetarin e bashkisë, Andis Salla, për bashkëpunimin që kemi pasur dhe nuk do të na mungojë në vazhdimësi për t’i qëndruar sa më pranë ekipit.

Këto largime e kanë dobësuar skuadrën?

Jo, nuk mendoj kështu. Ne vërtet u dhamë lejen të largohen për t’u ngjitur në karrierë, por ata janë zëvendësuar nga prurje cilësore. Të jeni të bindur se lojtarët që kanë ardhur do të tregojnë vlerat e tyre. Koldashi ka shkuar te Kukësi, Sallaku te Renova në Maqedoni, Aleksandër, Spahiu e Bajrami i janë bashkuar Bylisit, ndërsa Shanaj dhe Zaimi Apolonisë, Shaqe është te Drenica në Kosovë dhe Osmanllari te Partizani. E përmend këtë për të treguar se këtu bënë vërtet mirë.

Cilët janë objektivat e skuadrës këtë sezon?

Synojmë që të kapim vendin e dytë dhe, pse jo, të ngjitemi më pas në Superiore. Turbina nuk e ka diskutuar ndonjëherë mbijetesën dhe kjo nuk do të ndodhë as këtë edicion. I uroj suksese ekipit për 2021-shin dhe sa më shumë rezultate pozitive.

Tani Turbina ka edhe rezidencën e saj të re në Cërrik apo jo?

Po, kemi një rezidencë të re në Cërrik. Aty janë akomoduar lojtarët nga Brazili. Pra, gjithçka është si duhet në klubin tonë. Nuk na mungon serioziteti dhe kemi drejtues të kualifikuar e profesionistë.

MARIGLEN MIRAKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"