Presidenti i Turbinës: Ja trukimet, Sopoti i la ndeshjen Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2016 | 14:11

Presidenti i Turbinës: Ja trukimet, Sopoti i la ndeshjen Elbasanit

Zgjerohet skandali i korrupsionit dhe dyshimeve të forta për trukim të ndeshjeve në Kategorinë e Parë. Pas dy ditësh “furtunë” me fakte, akuza për ryshfet apo blerje lojtarësh, ku deri tani janë përfshirë katër klube, Turbina, Luftëtari, Pogradeci dhe Dinamo, dje ka ardhur edhe denoncimi i radhës.cerriku

Është presidenti i klubit cërrikas, Gentjan Gjoka, i cili ka reaguar për herë të parë për gazetën “Panorama Sport” në lidhje me gjithë këtë situatë të krijuar pas ndeshjes të së mërkurës.

Kreu i Turbinës shpjegon dyshimet që janë hedhur për drejtorin sportiv të Sopotit, Nesti Binishi, në një kohë që akuzon sërish gjirokastritët për tentativë blerjeje të lojtarëve kundërshtarë.

Ndër të tjera, Gjoka akuzon hapur Sopotin për tolerim ndaj Elbasanit në sfidën e kaluar, duke kërkuar drejtësi për të gjithë. Gjoka “Në lidhje me dyshimet për Nesti Binishin, dua të them që ambienti, i cili duket në foto, janë zyrat e klubit dhe e imja.

Sa për Binishin, është mik i imi mbi 20 vjet dhe nuk është hera e parë që ndjek ekipin. Ai ishte edhe në Lushnjë në krahun tim, madje edhe në Fier. Ne po mundohemi ta bëjmë pjesë të stafit tonë. Ndërsa pjesa që ju shihni në ato foto është ende pa nisur ndeshja, pasi loja filloi me katër minuta vonesë.

Kjo pasi delegati nuk pranonte duke qenë se kishte njerëz te një shtëpi private, ndërsa në fushë nuk bëhej më fjalë të kishte civilë”, shprehet fillimisht Gjoka në reagimin e tij. Presidenti i Turbinës vazhdon më tej duke folur në lidhje me çështjen e trukimeve dhe lëshon akuzën e drejtpërdrejtë për Sopotin.

“Sa për trukimet, jemi ne që duhet të ulërasim pasi Luftëtari u mundua të blejë më shumë se pesë lojtarë. Pse nuk dënojnë Sopotin që ia la hapur ndeshjen Elbasanit?!”, e mbyll reagimin e tij Gjoka. Kreu i klubit cërrikas e ka fjalën për sfidën Sopoti-Elbasani, që u luajt të mërkurën e kaluar dhe përfundoi 2-3.

Pavarësisht se një ekip pritës, librazhdasit pranuan të luanin në fushën e Elbasanit dhe u mundën 3- 2, duke bërë që verdheblutë t’i largoheshin vendit të fundit. Një sfidë që u kontestua fort nga tifozët e Sopotit si e toleruar për Elbasanin. Gjithashtu, për këtë ndeshje reaguan ashpër edhe disa ish-lojtarë librazhdas që kritikonin vendimin e skuadrës për të toleruar ndaj verdhebluve. Duket se situata në Kategorinë e Parë ka dalë jashtë kontrollit.

Kronologjia/ Çfarë ka ndodhur në këto 4 ditë

Të mërkurën – Java e 20-të e Grupit B të Kategorisë së Parë, e përcaktuar për të shtunën e kaluar, u shty për të mërkurën pas kërkesës së Luftëtarit dhe miratimit të FSHF-së. Në sfidën Turbina-Luftëtari pati sherr ku vendësit dhunuan miqtë. Gjithashtu, edhe në ndeshjen Dinamo-Pogradeci pati shumë tension dhe përplasje. Blutë akuzuan hapur gjyqtarin Kridens Meta.

Të enjten – U zbulua videoja e sherrit në Cërrik, ku dukeshin qartë aktet e dhunës së lojtarëve të Turbinës dhe civilëve ndaj miqve nga Gjirokastra. Gjithashtu, klubi bluzi denoncoi në FSHF një rast të dyshimtë ryshfeti ndaj gjyqtarëve. Klubi zotëron video dhe foto, të cilat ia ka vënë në dispozicion edhe gazetës, shihet drejtori teknik i Sopotit, Nesti Binishi, që qëndron brenda dhe jashtë dhomës së arbitrave në Cërrik.

Të premten – Klubi cërrikas akuzoi drejtuesit e Luftëtarit se kanë tentuar të korruptojnë katër futbollistë cërrikas për të toleruar në sfidën e së mërkurës. Në një kohë që kanë pranuar faktin se Nesti Binishi ka qenë në stadium në ndeshjen e së mërkurës. Të premten ka ardhur edhe akuza tjetër për ryshfet. Kësaj radhe është Dinamo që akuzon drejtuesit e Pogradecit se kanë tentuar të blejnë sfidën e së mërkurës.

Dje – Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, kërkoi drejtësi dhe deklaroi: “Pse nuk dënojnë edhe Sopotin, që ia la ndeshjen hapur Elbasanit?!”. Gjithashtu, po dje drejtori teknik i Pogradecit, Ylli Çekiçi, iu përgjigj akuzave të Dinamos.

Skandali zgjerohet, FSHF “mbyll sytë” përpara akuzave
Ashtu si një ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit, që është institucioni që drejton dhe menaxhon futbollin në Shqipëri, sërish nuk e ka parë të arsyeshme të reagojë. Në një kohë që prej katër ditësh situata në Kategorinë e Parë ka dalë nga kontrolli me akuza të drejtpërdrejta për blerje lojtarësh dhe trukime ndeshjesh, institucioni i futbollit vazhdon të “mbyllë sytë”. Në një kohë që klubet i paguajnë FSHF-së para çdo vit për të marrë pjesë në garë, kërkojnë drejtësi dhe reagim. Alarmin e lëshoi dje edhe presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka, që bëri pyetjen: “Pse nuk dënoni edhe Sopotin, që ia la ndeshjen hapur Elbasanit?!”. Prej katër ditësh, drejtuesit më të lartë të FSHF-së nuk denjojnë të reagojnë, duke treguar arrogancë dhe indiferentizëm përballë një situate të tillë ku skandali ka “marrë dhenë”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"