Presidenti i Teutës replika të forta ndaj Goga Basket: Do manipulonin ndeshjen, tani bëjnë avokatin e Llazanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 23:29

Presidenti i Teutës replika të forta ndaj Goga Basket: Do manipulonin ndeshjen, tani bëjnë avokatin e Llazanit

Pas akuzave së Goga Basket, ka ardhur menjëherë edhe reagimi nga Arqile Gorea.

arqile gorea

Ja deklarata e tij për “Panorama Sport”, në lidhje me situatën e krijuar në derbin Goga-Teuta: “Tashmë është bërë tradicionale, ku sa herë Goga mundet, u ngrihet adrenalina dhe kërkojnë armiq. E njëjta situatë na ndodhi edhe vjet kur morëm Kupën, ku më pas ndërhynë duke na larguar nga ekipi Kopesin, lojtarin më të mirë, duke i afruar kontratë false. Një veprim që na penalizoi shumë, pasi humbën finale e Ligës Ballkanike dhe kampionatin. Mënyra e artikulimit të deklaratës së tyre ndaj meje më kujton kohën e Enver Hoxhës, ku dhe presidenti i Gogës ka mbaruar Shkollën e Partisë.

Unë e kam ngritur gjithnjë problemin e arbitrave, të cilët duhet të zgjidhen me short, pasi jemi i vetmi vend ku ata emërohen, e gjithashtu kam ngritur edhe problemin e prezencës së mediave, pasi duke qenë mediat të pranishme, mundësia e manipulimit të takimeve nga arbitrat është më e vogël. Në këtë ndeshje ‘RTSH’ ishte i përjashtuar nga filmimi dhe për çudi nga sekretari i federatës caktohet një arbitër që për tri vite rresht kontestohet nga ne.

Bëhet fjalë për një arbitër që ka konflikt interesi me federatën, pasi ka një ekip basketbolli, të cilin e stërvit në palestrën e Kamzës, që menaxhohet nga Korab Llazani dhe djali i tij. Ky arbitër jep një faull personal për një nga lojtarët e stolit. Diçka jo qesharake, por tragjikomike. Duke përfituar nga mungesa e kamerave, ky gjyqtar filloi të ndikojë me paturpësi duke manipuluar ndeshjen.

Natyrisht në këto takime ka dhe adrenalinë e nerv, ku nuk është hera e parë që ngrihen tonet, por ta përshkruash në një formë të tillë, më duket jashtë normave. Unë jam një njeri publik, dikur kam qenë kryetar bashkie, drejtor i postave. Jam zgjedhur qytetar nderi në Amerikë, Itali apo Turqi, e tashmë më nxjerr ‘non grata’ shpella e Perikli Gogës. Për sa u përket atyre fjalëve të deklaratës, kemi të bëjmë me profesionin e tij si i laureuar në shkencat e shpifjes dhe të luftës së klasave.

Ky njeri e ka pasur ekipin e Teutës dhe ka arritur ta dërgojë në vendin e fundit në kategori të dytë, por të shpallë dike ‘non grata’ si në regjimin e kaluar duke e konsideruar si armik të popullit, kapërcen çdo lloj caku të sjelljes njerëzore. Më çudit fakti që ky zotëri ka vendosur të marrë rolin e avokatit të Korab Llazanit, ku i fundit ishte ulur pranë tyre në atë ndeshje dhe po prisnin shpartallimin e Teutës. Këta kurrsesi s’kanë të drejtë të më largojnë, pasi jam një taksapagues dhe aty ku ndodhet kjo shpella, edhe për sheshin para bashkisë ku bëhet shou basketbolli. Unë jam një njeri me personalitet të konsoliduar, ndërsa shprehjet që ata përdorin i përcaktojnë si njerëz. U rekomandoj meqë kanë mbetur vetëm me shkollë partie, tani e kanë më të lehtë të marrin dëftesë për shkollë të lartë. Gjithashtu, të shkojnë në kishë apo xhami e mbase Zoti ua shuan urrejtjen. Tjetër nuk kam çfarë të them”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"