Presidenti i Teutës akuzon Ballkanligën: Ja si na grabitën 5000 euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 21:48

Presidenti i Teutës akuzon Ballkanligën: Ja si na grabitën 5000 euro

Arqile Gorea, presidenti Teutës së basketbollit të meshkujve, në një intervistë për “Panorama Sport” ka zbuluar shkakun e vendimit të Teutës për të mos marrë pjesë në Ballkanligë. Kreu i bregdetarëve gjithashtu ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në sportin e koshit, duke filluar nga problemet financiare të mbartura nga sezoni i ndërprerë, Teutën e re, për të vijuar më pas me kërkesën ndaj federatës për rimbursim. Ndërkohë, nuk mund të mungonte as komenti për Ligën Unike.

Gorea

KOSTOT – Presidenti i Teutës e nis prononcimin e tij, duke theksuar edhe një herë tjetër goditjen financiare që kanë marrë klubet për shkak të kohëzgjatjes së verdiktit për sezonin 2019-2020 dhe vështirësitë me të cilat po përballen në këtë periudhë: “Për shkak të mungesës së vendimmarrjes nga federata, unë i kam paguar 5 muaj rroga skuadrës, ndonëse kampionati nuk rifilloi. Gjithashtu të gjitha ekipet paguan paratë e federimeve dhe të regjistrimeve.

Sidomos kostoja e lojtarëve të huaj që është një vare në kokën e ekipeve shqiptare. Aktualisht ndodhemi përpara një situate totalisht të pasigurt, sepse ka aq shumë lajme kontradiktore për fillimin e aktiviteteve. Vazhdoj ta theksoj që kemi një menaxhim shumë të keq të federatës”.

KËRKESA NDAJ FSHB – Gorea konfirmon kërkesën e klubeve ndaj FSHB, të cilat duan rimbursim financiar për edicionin e anuluar: “Ekipet kanë dërguar një letër në federatë, ku kërkojmë që FSHB të ketë në konsideratë të gjitha këto kosto në fillimin e kampionatit të ri, duke qenë se bëhet fjalë për një kampionat të pakonsumuar.

Pra, nga mosezaurimi i aktiviteteve, ekipeve duhet t’u kthehen paratë, ose të llogariten në kostot e sezonit të ri, sepse lind automatikisht pyetja, ku shkojnë këto para? Ky është një problem i madh që kërkon zgjidhje. Moszgjidhja e këtij problemi do të vendosë përpara shumë pikëpyetjeve, ku do të rikonfirmohen edhe një herë fjalët që qarkullojnë për shpërdorimin e financave të basketbollit”.

TEUTA E RE – Përtej problematikave të shumta, ishkryebashkiaku durrsak bën të ditur se Teuta do vazhdojë të mbetet një skuadër pretendente, ndonëse nga ekipi janë larguar lojtarë si Hysenagolli dhe Hamati: “Të gjitha këto janë vështirësi që ne na stepin, megjithatë jeta vazhdon dhe ne jemi të angazhuar për vazhdimin e luftës sportive në kampionat. Do të përpiqemi që të bëjmë atë që është më e mira për ekipin tonë. Vllaznia dhe Goga Basket kanë marrë edhe dy lojtarët tanë si Hamati dhe Hysenagolli. U uroj sezon të mbarë të dy lojtarëve në skuadrat që kanë shkuar. Ndërsa bëj me dije se Teuta ka rikonfirmuar në drejtim të skuadrës trajnerin Milatoviç, i cili së bashku me kapitenin po merren me riformatimin e ekipit të ri. Do ketë prurje shumë të mira dhe do të kemi sërish një Teutë pretendente”.

BALLKANLIGA – Teuta dy vite më parë realizoi një paraqitje të shkëlqyer në Ballkanligë, duke u bërë ekipi i parë shqiptar që arrin të shkojë deri në finale. Por bregdetarët sezonin e kaluar hoqën dorë nga pjesëmarrja në këtë aktivitet, për shkak të disa problemeve që patën me organizatorët e Ballkanligës. Ja si qëndron e vërteta sipas presidentit të Teutës: “Ishte një eksperiencë mjaft e bukur sportive dhe historike për basketbollin shqiptar. U shpallëm nënkampionë, ndërsa dy lojtarë tanë u futën në formacionin më të mirë të eventit. Por për sa u përket marrëdhënieve me organizatorët, lënë shumë për të dëshiruar. Ata na grabitën në mënyrë arbitrare fondin e garancisë.

hqdefault

Ne kishim një aktmarrëveshje, ku Ballkanliga i pranonte kushtet e pallatit të sportit “Ramazan Njala” për zhvillimin e ndeshjeve. Ishim mjaft korrektë ku bëmë madje edhe shpenzime për përmirësimin e kushteve, por në mënyrë arbitrare na mbajtën fondin. Ndërkohë pas bisedave që kemi pasur edhe me drejtuesit e Tiranës, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në të shkuarën në këtë kompeticion, mësuam që kjo ishte metodikë e punës për të grabitur ekipet pjesëmarrëse nëpërmjet fondit të garancisë. Kjo gjë na bëri që të mos marrim pjesë në këtë aktivitet. Na mbajtën 5000 euro me motivacionin se në pallatin e sportit ka qenë ftohtë, në një kohë kur ka një kontratë të firmosur që pranohen kushtet e sallës”.

LIGA UNIKE – Rreth dy javë më parë u zyrtarizua marrëveshja për Ligën Unike, kampionatin e përbashkët të basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova. Presidenti i Teutës e vlerëson eventin mbarëkombëtar, por evidenton problematikat dhe diferencat e mëdha mes dy vendeve. Ndërsa ngriti dyshimet se kjo ligë është shfrytëzuar edhe për fushatë elektorale.

“Të flasësh për një aktivitet të përbashkët Shqipëri-Kosovë, është diçka shumë e bukur, një ëndërr që shpresojmë të bëhet realitet. Por ka një mal me punë, pasi ekziston një hendek i madh mes organizimit të eventeve dhe prodhimit të realiteteve. Marrëveshjen e nderoi edhe kryeministri me pjesëmarrjen e tij, pasi atij i duhen eventet, sepse siç dihet jemi para një fushate elektorale. Duhet të kuptojmë që kemi dy standarde krejt të ndryshme, ku në njërën anë qëndron basketbolli kosovar, i cili është me traditë, me një infrastrukturë të konsoliduar dhe me nivel ekipesh shumë herë më të lartë se ne.

Mbi të gjitha kanë edhe një legjislacion perfekt, të cilin FSHB duhet ta marrë si shembull, duke nisur që nga statuti, rregullorja, apo tarifimet. Megjithatë, e shikoj me optimizëm, për faktin se në krye të këtij aktiviteti është caktuar një personalitet i basketbollit shqiptar, si Ilir Trebicka.

Një njeri serioz, i cili mendoj se do të japë kontribut në rregullimin e këtyre diferencave”, thotë Arqile Gorea, i cili e mbyll intervistën duke evidentuar edhe një “hile”, që sipas tij është përdorur për emërtimin e Ligës Unike: “Siç dihet në këtë kampionat do të marrë pjesë edhe Sigal Prishtina, ndërsa kompania Sigal, e presidentit të FSHB-së është pjesë ‘Uniqa Grup’. E njëjta terminologji ‘Unike’ është përdorur edhe për këtë event. Duhej një emërtim tjetër që të mos kishte lidhje. Shpresoj që kjo ligë të jetë jashtë duarve të pista dhe interesave meskine, të njerëzve që janë mësuar ta zhvasin basketbollin”, përfundoi Gorea.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"