Presidenti i Prishtinës, elozhe Josës dhe sfidë… Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2018 | 18:29

Presidenti i Prishtinës, elozhe Josës dhe sfidë… Superiores

Trajnerët shqiptarë kanë çuar cilësi dhe mentalitet ndryshe në Kosovë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, nga kryeqyteti i Kosovës, presidenti i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi ka folur për futbollin në vendin e tij. Ai zbulon se me Mirel Josën do të vijojë projektin afatgjatë. Ejupi bën edhe një “skaner” të kampionatit kosovar, si dhe krahasimet me atë shqiptar.

leli1

Ai takoi në Prishtinë edhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ku diskutuan edhe për një bashkëpunim në ndërtimin e terreneve sportive në Vlorë apo edhe për shkëmbime lojtarësh dhe trajnerësh mes Flamurtarit dhe Prishtinës.

Si e shikoni faktin që disa trajnerë nga Shqipëria janë pjesë e ekipeve në Kosovë?

Është një bashkëpunim shumë pozitiv, ku do të lëvizin si lojtarët ashtu edhe trajnerët. Tashmë është një treg më i pasur i Shqipërisë dhe Kosovës dhe ka hapësira që të shkëmbejmë edhe eksperienca me trajnerët. Shembulli është me Mirel Josën, por edhe me trajnerët e tjerë që janë në Kosovë, të cilët kanë eksperiencën, pasi kanë dalë edhe në arenën ndërkombëtare, si në Champions Ligë dhe Europa Ligë. Për ne ky është një motiv shtesë të angazhohemi më shumë, pasi kemi një trajner me eksperiencë në kampionatin shqiptar dhe ndërkombëtar. Mendoj se po shkojmë mirë. Një trajneri të mirë i nevojitet edhe kohë për të kuptuar edhe ekipin, edhe mentalitetin dhe gjithçka tjetër. Ne jemi në rrugë të mbarë.

Çfarë solli Josa te Prishtina, në ndryshim nga trajnerët që keni pasur?

Patjetër që ndihet ndryshimi. Josa solli shumë. Solli mentalitetin e tij, sinqeritetin e tij, disiplinën, kulturën e tij. Ai solli një eksperiencë të madhe. Ka pasur probleme, pasi kemi luajtur edhe jashtë shtëpisë, prej dy vitesh. Kemi pasur vështirësi në përgatitje dhe punë, por tani jemi duke u konsoliduar dhe jemi në rrugë të mbarë për vitin e ardhshëm. Nuk kemi menduar me Josën vetëm për një sezon që të dalim apo mos dalim kampion, por me të kemi projekte afatgjata.

auto_ejupi1527870642

Do të keni ndryshime për sezonin e ri?

Kjo mbetet në duart e Josës. Ai është shefi teknik që do të vendosë. Do të ulemi dhe do shohim çfarë kërkesash do të ketë për ndryshime dhe përforcime.

E shikoni të vështirë ballafaqimin në Kupat e Europës me grupin që keni?

Jo. Më të vështirë shikoj kampionatin brenda vendit sesa kampionatin në Europë. Kushtet atje janë më të mira dhe kanë edhe cilësi gjykimi objektive. Ne lëmë akoma për të dëshiruar. Edhe motivimi i ekipit dhe lojtarëve do të jetë pozitiv. Me kualitetin e tyre do të kemi rezultat.

Nëse bëjmë një krahasim mes kampionatit shqiptar dhe atij kosovar, ku dallojnë?

Kampionati shqiptar vitet e fundit ka dalë edhe në arenën ndërkombëtare. Ka një cilësi më të lartë. Por, futbolli shqiptar është më agresiv. Ndërsa, në Kosovë më shumë i jepet hapësirë pjesës taktiko-teknike, pra anës organizative. Por mësojmë shumë edhe nga kampionati shqiptar, pasi ka eksperiencën dhe përvojën dhe është pak më lart nesh.

Sa të vlerësuar janë ekonomikisht futbollistët këtu në Kosovë?

Nuk dallon shumë nga kampionati shqiptar. Nëse llogarisim milionat në lekë dhe milionat në euro, aty-aty jemi. E shikojmë tregun. Edhe në Shqipëri janë dy-tre klube që kanë oferta të arsyeshme, kurse klubet e tjera edhe lënë për të dëshiruar për kampionatin shqiptar. Ne prej dy vitesh jemi anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s dhe kemi filluar ndryshimet, të rrisim nivelin edhe buxhetin. Besojmë se në të ardhmen do të jemi si vendet e tjera europiane.

Aktualisht, stadiumi i Prishtinës po rehabilitohet…?

Po është një stadium që do të ketë ndryshim. Ministria e Kulturës dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe UEFA, Federata, po investojnë. Është një stadium që do të jetë i kategorisë katër që do të plotësojë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, si për përfaqësuesen e Kosovës edhe për klubet tona që do të marrin pjesë në Europë. Ka dy vjet që ka nisur puna dhe besojmë se në fund të qershorit, qytetarët e Prishtinës të kenë mundësi të shikojnë ndeshje të bukura edhe në Prishtinë.

Prishtina është një klub privat apo ka aksione edhe komuna?

Prishtina, që nga viti 2004, është i vetmi klub deri tani që është në shoqërinë aksionare. Ka edhe të tjerë që janë në këtë rrugë dhe do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë, pasi futbolli është edhe biznes dhe ata që dëshirojnë të investojnë presin edhe kthimin. Këtu është dallim, është kryeqytet, klub me histori. Unë e quaj si klubin më të madh shqiptar jashtë Shqipërisë. Prishtina nuk ka tifozë vetëm në Prishtinë, por edhe aty ku ka shqiptarë.

Zhvilluat një takim me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, për çfarë diskutuat?

Jemi shumë të interesuar për një bashkëpunim, pasi Vlora ofron shumë. Nëse ne na jepet hapësirë atje që të bëjmë një investim të përbashkët për një kompleks për stërvitje. Ky kompleks do t’i shërbejë shumë edhe turizmit edhe klubeve në Vlorë dhe përreth. Pra, të kemi një bashkëpunim edhe në drejtim të shkëmbimit të lojtarëve, trajnerëve dhe bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"