Presidenti i Partizanit flet në prag të Champions-it: Duam kualifikimin, jemi më të fortë se hungarezet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 19:54

Presidenti i Partizanit flet në prag të Champions-it: Duam kualifikimin, jemi më të fortë se hungarezet

Partizani në volejboll për femra është në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme të historisë së klubit.

volejboll partizani

Kampionet e Shqipërisë janë përballë një misioni të vështirë, por jo të pamundur në Ligën e Kampioneve, ku do të kërkojnë përmbysjen e madhe ndaj hungarezeve të Vashashit.

Ndonëse janë mundur 3-0 në ndeshjen e parë në transfertë, të kuqet besojnë te kualifikimi. Gjithashtu, më shumë besim në këtë sfidë paraqet edhe presidenti Rogert Huqi, i cili mendon se Vashashi nuk është më i fortë se Partizani, ndërsa u bën apel edhe tifozëve që t’i japin një dorë ekipit në ndeshjen e kthimit.  partizani volejboll femra

Në një intervistë për “RTSH Sport”, Huqi fillimisht komenton sfidën e javës së kaluar në Hungari: “Ishte një ndeshje e vështirë për ne, kjo për shumë arsye, sepse dy vajzat turke, të cilat ishin në Turqi për marrjen e vizës, në 3 të natës kanë udhëtuar drejt Hungarisë. Ndoshta lodhja e tyre, si dhe forma jo e mirë e Hudeçovës ndikoi në këtë ndeshje. Por besoj se çdo gjë do të normalizohet dhe do të jetë tjetër Partizan në këtë ndeshje”.

Më pas Huqi tregon atmosferën në kampin e kuq, e gjithashtu ka dhe një apel për tifozët: “Atmosfera brenda grupit është shumë e lartë. Besoj se i kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Por që ky kualifikim të bëhet i mundur, na duhet ndihma e tifozëve. Presim shumë tifozë që të na mbështesin për të arritur kualifikimin. Shanset i kemi, çdo gjë është e arritshme”.

volej partizani femra

Në fund, Huqi flet për kundërshtarin dhe është bindur se Partizani është një skuadër më me shumë kualitet se Vashashi, gjë e bën të shpresojë shumë te kualifikimi: “Duke parë ndeshjen e parë besojmë se është një skuadër e mirë, por jo e pakalueshme. Besojmë se do ta kalojmë, sepse Partizani ka elementë më të mirë se Vashashi. Kjo gjë u pa në ndeshjen e parë, pavarësisht se ne ishim jashtë forme. Ndikoi dhe atmosfera e tifozëve të Vashashit. Por besoj se jemi kualitet më i mirë se Vashashi. Kemi shanse për të kaluar dhe për të arritur kualifikimin”, deklaroi sponsori i kampioneve të Shqipërisë.

Kujtojmë se Partizanit në ndeshjen e kthimit që do të luhet i duhet një fitore 3-0 ose 3-1 për ta dërguar ndeshjen në golden set, ndërsa mikeve u mjaftojnë vetëm dy sete për t’u kualifikuar në fazën e grupeve.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"