Presidenti i Lacios mburret me Strakoshën: A ju kujtohet kur e kritikonit?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2017 | 10:29

Presidenti i Lacios mburret me Strakoshën: A ju kujtohet kur e kritikonit?

Klaudio Lotito është njëkohësisht presidenti i Lacios në Serinë A dhe i Salernitanës në Serinë B. Pikërisht te ky klub i dytë, një vit më parë ai dërgoi Thomas Strakoshën, për të krijuar më shumë eksperiencë, pasi do të luante rregullisht si titullar. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç shpresohej dhe portieri shqiptar luajti vetëm 11 ndeshje në Serinë B, duke pësuar gol në secilën prej tyre.

Strakosha

Kritikat e mëdha që mori nga mediat dhe publiku në atë periudhë bënë që Lacio të vendoste ta kthente menjëherë futbollistin e dhënë huazim, për të mos e dëmtuar më shumë vetëbesimin e tij. Kjo ishte lëvizja e duhur në fakt, pasi Strakosha jo vetëm u përmirësua në stërvitje te Lacio, por po tregon veten në fushën e lojës se është në gjendje të luftojë për një fanellë titullari ndaj kujtdo, si në klub, ashtu edhe në Kombëtare.

Për këtë transformim, Klaudio Lotito u ka kujtuar tifozëve të Salernitanës se plani i tij për të afruar të rinj të talentuar te ky klub funksiononte dhe ata duhej të kishin durim. Për t’ua shpjeguar sa më mirë, ka përdorur pikërisht rastin e Strakoshës.

Tare dhe Lotito

“Bashkëpunimi me Lacion ishte një avantazh, por një ambient armiqësor e ka bërë të pamundur ndërthurjen e të rinjve të talentuar por që nuk kishin experiencë. Nuk është e thjeshtë për një të ri të vihet në diskutim që te gabimi i parë.

Strakosha, në këtë moment është titullar te Lacio dhe në Kombëtare. Shumë më kanë akuzuar se e kisha kthyer Salernitanën në një klub dytësor, unë e kam respektuar këtë mendim edhe pse nuk e ndaja, sepse në Salerno nuk kam dërguar lojtarë skarco, por elementë të vlefshëm”, tha Lotito.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"