Presidenti i klubit të Kategorisë së Parë jep lajmin e mirë: Do bëjmë stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 0:10

Presidenti i klubit të Kategorisë së Parë jep lajmin e mirë: Do bëjmë stadium

Besa dështoi për të gjashtin vit radhazi. Edhe pse e nisën sezonin me pretendime të mëdha, në fund nuk u rikthyen dot në Kategorinë Superiore. Ata u renditën në vendin e katërt të klasifikimit, me një diferencë jo të vogël pikësh nga Apolonia, Pogradeci e Lushnja. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, Nexhat Bizhdili analizoi shkaqet që e çuan skuadrën deri në këtë pikë dhe hapur e thotë që nuk ndihet aspak krenar për këtë kampionat. Merr fajet e veta përsipër, e megjithatë, mendon se ndikim të madh pati infrastruktura.

Bizhdili-2

Por, duket se këtij halli po i vjen fundi. Është vetë presidenti që konfirmon lajmin se shumë shpjet do të hapet ankandi për rikonstruksionin e stadiumit “Besa”. Nuk e la me kaq, pasi konfirmoi se do të ketë edhe dy rikthime në radhët e lojtarëve që u mbaroi kontrata më 31 maj.

Një tjetër vit i dështuar, as këtë herë Besa nuk u ngjit në Kategorinë Superiore…

Është e vërtetë. Dështova ta kthej Besën në Kategorinë Superiore edhe për këtë vit. Por më mirë le të themi dështuam, pasi jo gjithçka varet vetëm nga angazhimi im. Bie fjala, nuk kam fuqi financiare as unë as edhe ndonjë president të ndërtojë i vetëm një stadium. Shkaku themelor që ndikoi në mosarritjen e objektivit, mendoj se mbetet fakti që nuk kemi luajtur në shtëpinë tonë. T’i luash të gjitha ndeshjet sa andej këndej e pa tifozë, kushton jo pak në Shqipëri. Mjafton të shihni Kukësin që ka investuar qindra miliona dhe përsëri doli bosh pa asnjë trofe. Homologu im Safet Gjici prandaj nxitoi të investonte në ndërtimin e stadiumit të Kukësit sa më shpejt.

Vetëm stadiumi ishte shkaku i kësaj ecurie?

Jo. Kur përmenda mungesën e terrenit, nuk po përjashtoj edhe fajet tona. Jua them unë ku çaluam. E nisëm merkaton mjaft vonë dhe kjo na kushtoi rezultatet deri në janar. Ju e patë që u detyrova të bëj 6 afrime në dimër, që patën edhe kosto jo të ulët financiare. Më pas për ters erdhi “COVID-19” duke ma zhvleftësuar gjithë atë investim në merkato. Fundi dihet, dështuam.APOLONIA BESA

A mund të quhej i turpshëm fundi i sezonit, pasi përfunduat që të luani edhe me adoleshentë?

Nuk mund të mbaja me dhunë jashtë kontratës futbollistët pas 31 majit. Ndeshjen e parë me Pogradecin me grup të plotë e patë se çfarë mund të bënim. Nëse grupi nuk do të shpërbëhej, nuk ishte aspak çudi të na shihnit në vend të Apolonisë. Kuptohet se pas largimeve të titullarëve, ose duhet të bojkotonim kampionatin, ose të luanim me adoleshentë. Unë respektova kampionatin. Vetëm se dua të sqaroj lojtarët e rinj, të mos ushqejnë ëndrra të kota. Të gjithë do kthehen të luajnë me moshat, aty ku e kanë edhe vendin. Asnjë 16-17 vjeçar nuk është i aftë të luajë në ekipin e parë, qoftë talent i madh apo i vogël.

Pas dy javësh ristartoni stërvitjen. Ka Bizhdili ndonjë lajm që do gëzonte edhe tifozët?

Po, kam. E para dhe kryesorja, me sa jam në dijeni, shumë shpejt hapet tenderi për rikonstruksionin total të stadiumit dhe ndërtimin e fushës së re. Kjo u shty nga situata e pandemisë. Së dyti, prej dy muajsh jam në kontakte me disa futbollistë cilësorë. Mes tyre ka edhe 2 futbollistë që u mbaroi kontrata më 31 maj, por që do t’i rimarrim përsëri në ekip. Po shohim mundësinë që derisa të ndërtohet stadiumi, t’i luajmë ndeshjet diku afër Kavajës. Kështu tifozët mund të jenë të pranishëm. Kaq për këtë intervistë. Pas 2 javësh besoj do kemi gjëra konkrete dhe fakte mbi të cilat mund të flasim.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"